Nga Ilir Beqja
Saliu i qeverisë ishte të martën në Durrës dhe inauguroi fillimin e punimeve të portit të ri të peshkimit. Shfrytëzoi përsëri rastin për të sulmuar Vangjush Dakon, kryetarin e bashkisë së Durrësit. Saliu nuk lë rast pa e sulmuar Dakon. Mesa duket nuk i harron fitoret spektakolare të Vangjushit në shkurt 2007 dhe maj 2011, por edhe e ndjen se në 23 qershor 2013 do të humbasë në qarkun e Durrësit edhe falë asaj që Vangjushi dhe ekipi i tij i bashkisë kanë bërë për qytetin e Durrësit në 6 vitet e fundit.
Porti i ri i peshkimit
Sulmoi Vangjushin se gjoja ka penguar e vonuar portin e ri të peshkimit. Le të sjellim disa të vërteta për lexuesit dhe t’i lëmë të gjykojnë se kush është penguesi dhe vonuesi.
Porti i ri i peshkimit është financuar nga Banka Islamike për Zhvillim. Kredia është miratuar në janar 2007. Puna efektive e PIU të këtij projekti filloi në fund të vitit 2007. Gjatë viteve 2008- 2009 u përgatiten projektet dhe preventivat e ndërtimit si dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm. Në Bashkinë e Durrësit projekti është dorëzuar në fund të vitit 2009. Bashkia e Durrësit e filloi një proces konsultimi me qytetarët dhe e “vonoi” maksimumi 8 muaj, deri në shtator 2010. Në 3 shtator 2010, me vendimin nr. 2, projekti i portit të peshkimit është miratuar në KRTRSH. Pika 1 e vendimit kërkon që të përcaktohet një skemë e qartë e lëvizjes në port. Që atëherë kanë kaluar 32 muaj, ndërsa nga miratimi i kredisë kanë kaluar 77 muaj. Është e qartë se sa ndikim ka “vonesa” e bashkisë Durrës në këtë periudhë. Pse nuk jep shpjegime publike Saliu për vonesën e 32 muajve të fundit.
Por çfarë është “vonesa” e bashkisë Durrës?
Bashkia Durrës, së pari ka mbajtur pozicionin se vendndodhja e portit të ri nuk është e përshtatshme. E njëjta gjë është e dokumentuar të jetë rekomanduar:
– Nga kompania e huaj italiane që hartoi Planin Rregullues të qytetit të Durrësit. Kjo kompani është kontraktuar nga qeveria shqiptare. Në fakt, kompania thjesht ka rekomanduar, pasi porti është miratuar aty ku edhe u inaugurua të martën.
– Nga kompania e huaj holandeze që është kontraktuar nga Autoriteti Portual për masterplanin e ri të Portit të Durrësit.
– Nga kompania e huaj franceze, e kontraktuar nga bashkia Durrës për projektin e waterfront-it të qytetit të Durrësit. Sipas kompanisë franceze nuk është aty vendi për një port industrial peshkimi, por një port turistik ku mund të ketë edhe mol për barka peshkimi deri 9-metroshe në një numër të kufizuar. Nuk është aty vendi për një port industrial që ka nevojë edhe për depozita nafte apo tjetër logjistikë të nevojshme.
Së dyti, bashkia Durrës ka kërkuar që komunikimi i mjeteve lëvizëse tokësore me portin e ri të peshkimit të mos bëhet nëpërmjet rrugëve kryesore të qytetit të Durrësit, por nëpërmjet territorit aktual të portit të Durrësit.
Edhe sipas projektit që po zbatohet, edhe sipas planit rregullues të qytetit të Durrësit të miratuar para disa ditësh në KRRTRSH, është pranuar e miratuar propozimi dhe kërkesa e bashkisë Durrës.
Kjo është e vërteta e “vonesës” së shkaktuar nga bashkia Durrës. Pra, është Saliu që duhet të kërkojë falje publike për vonesën e ndërtimit të portit të ri të peshkimit.
Plani Rregullues i qytetit të Durrësit
Saliu ripërsëriti sulmin ndaj Vangjush Dakos për “betonizimin” e qytetit.
Edhe për planin rregullues të qytetit të Durrësit, Saliu dhe qeveria e tij janë përgjegjës për vonesën dhe duhet të kërkojnë falje.
Plani Rregullues i qytetit të Durrësit është hartuar nga një kompani e huaj e kontraktuar nga qeveria shqiptare dhe financuar nga një kredi e marrë nga qeveria shqiptare tek Banka Botërore. Është qeveria ajo që e ka vonuar me vite.
Lidhur me akuzat për “betonizim” duhen bërë të qarta edhe faktet:
– Që prej shtator 2011, KRRT e bashkisë Durrës është shpërndarë dhe në kushtet e mungesës së planit rregullues të qytetit nuk mund të jepet asnjë leje ndërtimi.
– Që nga dita që Vangjushi është zgjedhur kryetar bashkie e deri në shtator 2011, KRRT e bashkisë Durrës është dominuar në shumicë nga anëtarë të zgjedhur nga këshilli bashkia (ku mazhoranca ka qenë drejtuar nga PD) dhe përfaqësues të prefekturës (të emëruar nga qeveria).
Pra, nëse Durrësi është “betonizuar” qysh se Vangjushi është zgjedhur kryetar bashkie, përgjegjësia është vetëm e Saliut dhe mazhorancës së tij.
Porti i jahteve
Saliu sulmoi Vangjushin, por nuk dha asnjë shpjegim pse e ka vonuar planin rregullues të qytetit të Durrësit. Megjithatë, mungesa e planit rregullues të qytetit të Durrësit nuk e pengoi Saliun të bëjë si të dojë me hapësirën detare dhe bregdetin e qytetit të Durrësit. Në verë të vitit 2012, pra kur nuk kishte ende plan rregullues të miratuar, Saliu ka miratuar vendimin nr. 470, datë 18 korrik 2012 “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të portit të jahteve në qytetin e Durrësit dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet subjektit “I.S.D.C.”. Sipas këtij vendimi në qytetin e Durrësit do të ngrihet një port jahtesh, si koncesion i pakërkuar nga kompania. Çfarë është në fakt një koncesion i pakërkuar? Është një koncesion që e kërkon një sipërmarrës duke paraqitur një ide, e cila nuk i ka shkuar në mend qeverisë, por është vetëm propozim i sipërmarrësit. Pra, askujt nga qeveria e Saliut nuk i shkoi në mend se mund të ngrihet një port jahtesh në Durrës, as atij ish-ministrit të Turizmit të Saliut që premtonte para dy vjetësh se do të përmirësonte cilësinë e diellit. I shkoi në mendje vetëm shoqërisë ISDC, e themeluar vetëm në maj 2012 me kapital 1 milionë lekë të vjetra. E pra, plot para dy vjetësh, në fushatën e suksesshme për t’u rikonfirmuar si qytetari i parë i Durrësit, Vangjushi prezantoi projektin e waterfront-it të Durrësit kur përfshihej edhe port jahtesh.
Sa pisllëqe të tjera në Durrës e nëpër Shqipëri mund të ketë bërë Saliu, ndërsa akuzon PS për bllokim, vonesë, betonizim, e ku di unë për çfarë tjetër.
Peshkimi
Të martën në Durrës dhe të mërkurën në mbledhjen e qeverisë, Saliu foli për peshkimin. Bëri sikur dëgjoi hallet e peshkatarëve dhe vendosi të mbështesë ata. Nuk gjeti kohë 8 vjet të merret realisht me nevojat e peshkimit dhe u kujtua vetëm 40 ditë para datës së zgjedhjeve.
Megjithatë nuk shpjegoi pse aktet nënligjore të përgatitura me asistencën e BE kanë 10 muaj që nuk miratohen? Pse nuk u miratua ligji i akuakulturës i përgatitur me asistencë të BE? A e di vallë Saliu se sot peshkimi është pa rregulla? Ligji është i përgjithshëm, VKM dhe rregulloret mungojnë. Ligji i ri shfuqizon të gjitha aktet e mëparshëm. Sot mungojnë të rejat.
Çfarë po bëhet për rrjetat e paligjshme në det. Sot në peshkimin detar prej 2 muajsh po përdoren rrjeta te ndaluara nga OKB dhe BE. Kush e mban përgjegjësinë?
Pse u ndryshua përsëri ligji i ri i peshkimit ( ligji 29/2013) i cili i heq kompetencat Drejtorisë së Peshkimit duke e vënë nën inspektoratin e peshkimit? Pra, polici i peshkimit do të përcaktojë politikat në peshkim!
Dhe ç’është më e rëndësishmja, Saliu nuk shpjegoi pse sasia e peshkut të zënë është ende sa 75 për qind e asaj që zihej në 1990 dhe pse, për herë të parë në 2012, sasia e importuar e peshkut ka kaluar atë të eksportuar.
Industria e detit
Saliu foli edhe për industrinë e detit në përgjithësi. Shqiptarët e dinë që ishte Saliu që për 8 vjet i vuri kyçin detit dhe e ktheu në pellg vetëm për të notuar vetë. Edhe këtu nuk pati turp të kopjojë programin e PS-së. Deklaroi se mund të punësohen 15 deri 20 mijë vetë. A nuk e ka thënë PS prej dy muajsh se në programin ambicioz për 300 mijë vende të reja pune, 15 mijë do të jenë nga ngritja e industrisë së detit. Tjetër dëshmi se Saliu, përveçse ka dështuar në 8 vjet, është i lodhur, pa ide dhe pa program.
Mbikëqyrja e hapësirës detare
Meqë po flasim për detin, nuk mund të rri pa denoncuar edhe çfarë po ndodh me mbikëqyrjen e hapësirës detare shqiptare. Që prej korrikut 2012, hapësira detare shqiptare është e pakontrolluar. Që prej atëherë 7 prej 9 radarëve që duhet të mbikëqyrin hapësirën detare nuk funksionojnë, pasi kontrata e shërbimit të mirëmbajtjes së tyre ka përfunduar.
Situata është tejet e rëndë që prej mars 2013 kur ka pushuar dhe moratorium i mjeteve detare. Mundet që të jenë lënë enkas jashtë funksionit për të nxitur trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë.
Ndërkohë, ministri në ikje i Mbrojtjes, po organizon një procedurë prokurimi të fshehtë ku duan të shmangin kompaninë që bën mirëmbajtjen aktualisht dhe që është zgjedhur me prokurim të hapur.
http://www.gazetatema.net/web/2013/05/15/saliu-dhe-deti/





