Nga Saimir Demi

Ndoshta bota prandaj është kaq e larmishme, pasi është e përbërë nga njerëz shumë të ndryshëm. Por kur karakteristikat e përbashkëta përbëjnë maxhorancën e një komuniteti, atëherë nëpërmjet tyre mund të identifikosh një popull të tërë.

Ka njerëz miqësorë, pra të afrueshëm, që kërkojnë me ngulm shoqëri, por edhe vetmitarë, të pashoqërueshëm, që bezdisen nëse një tjetër insiston të kundërtën.

Mund të gjesh të dashur, të gatshëm për të ndihmuar edhe të panjohur, ashtu si edhe të vrazhdë, të cilët mirësinë nuk e kanë prioritet.

Kjo botë ka të bardhë e të zinj, madje jo vetëm duke iu referuar lëkurës, pasi edhe shpirti ka ngjyra po aq ekstreme. Sepse ekzistojnë pozitivistë dhe negativistë.

Thuhet se në vendet nordike njerëzit anojnë nga e para, pasi kanë tendencën ta shohin jetën në tërësi me shumë pozitivitet dhe arsyet duhet të jenë niveli i lartë kulturor, mirëqenia ekonomike, flitet për shtete shumë sociale, apo që kanë ndërtuar prej shekujsh një fqinjësi dashamirëse.

 

 

Ndërsa negativistët i gjen me shumicë në Ballkan dhe arsyet janë pak a shumë të kundërtat e atyre që u radhitën më sipër.

Një mik i vjetër më kujtoi një shembull: Në një rrugicë janë përballë dy dyqane, pronarët e të cilave kanë vendosur të punojnë ndershëm, por njëri ka një sallë dasmash, ndërsa tjetri një agjenci funeralesh. Dilema është nëse ndershmëria e tyre ka të njëjtën vlerë?

Dhe e gjithë kjo hyrje e gjatë, pasi edhe vetë nuk i kam kuptuar ekzakt pse ekzistojnë disa mëdyshje, të cilat në të parin vend, sapo kalon Gadishullin tonë, do të ishin naivitete dhe jo më t’i ndash me publikun nëpërmjet faqeve të një gazete kombëtare.

Stadiumi “Qemal Stafa”, që së fundmi ishte kthyer në një nevojtore publike, u prish deri në themel dhe pasi të pastrohet nga rrënojat, na është premtuar një i ri, pikërisht si këta që shohim në Europë, por me një kapacitet më modest.

As mua nuk më pëlqen ajo kulla që vura re nga projekti, madje dhe bashkohem me zërat që ka gjasa të jetë një aferë e dyshimtë, por edhe fasada do të doja të ruhej, sepse megjithëse nuk jam arkitekt, dallohet lehtë që është në unison me ndërtimet e tjera të bulevardit.

Por të mbash si muze ish-stadiumin, tashmë nevojtore, dhe të propozosh ndërtimin e një të riu diku jashtë Tiranës, më duket një ekzagjerim i nostalgjikëve, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë që ne kemi një transport urban dhe aq më keq ndërurban shumë të kufizuar, për të ftuar dhe përcjellë tifozë në mënyrë dinjitoze.

Këtu te ne pashë dëshirën për t’ia ndyrë medaljen Majlinda Kelmendit, që e kishte ekstremisht të artë, ashtu siç e meritonte, madje disa pritën edhe testin e dopingut, për ta diskretituar më pas thjesht për hir të patriotizmit, ndërsa Majlinda tha për të përjavshmen amerikane “Time”, se në Londër 2012 garoi për Shqipërinë, ndërsa në Rio 2016 për Kosovën dhe është e lumtur që ka përfaqësuar pothuajse të gjithë hapësirën shqiptare.

Po në këtë rast, kush dreqin ka të drejtë? Notari Sindi Hoxha e ka siguruar privatisht infrastrukturën, si dhe pjesën më të madhe të burimeve financiare, për t’u përgatitur në kuadër të të gjitha aktiviteteve ku merr pjesë me flamurin shqiptar, duke përfshirë edhe Olimpiadën.

Sindi theu rekordin kombëtar, ndërkohë që menjëherë nxituan t’ia injorojnë me arsyen më të paarsyeshme, duke e krahasuar me diferencën në kohë me rekordin e Majkëll Felps, megjithëse në këtë rast, ashtu si në të gjitha rastet e tjera, nuk është vetëm koha fizike me diferencë kaq të madhe.

Por si mund të jetë e gjetur t’i urosh Luiza Gegës dështimin, pasi në të kundërtën rifitojnë pikë drejtuesit e KOKSH-it, të cilët mezi presin të kthehen nga Rio për t’i “masakruar”, gjë që e meritojnë plotësisht për bëmat e tyre të pashembullta gjatë qëndrimit të delegacionit tonë në Brazil?

Sidoqoftë, ky tip duhet të jetë negativizëm genetik dhe në këtë rast, njeriu, ose njerëzit që e posedojnë janë të rrezikshëm për shëndetin.

Serbët, për shembull, duhet të kenë të njëjtin negativizëm, të inspiruar nga një urrejtje që nuk njeh limite, pasi nuk ka se si të kalojnë në delir dhe të falënderojnë vëllezërit rusë, sepse nuk u dhanë viza dy futbollistëve kosovarë që luajnë për Partizanin e Tiranës… pa lidhje fare.

Megjithatë, duke lexuar kryeministrin e tyre Aleksandër Vuçiç, i cili e uroi Kelmendin për Medaljen e Artë me një “hallall” (të paktën kështu na u përkthye në shqip), fillon e mendon se edhe atje nuk janë të gjithë njëlloj. Pra, në përfundim, si është më mirë të jesh, pozitivist, apo negativist? Logjikisht, zgjedhja nuk duhet të jetë shumë e vështirë.

Ai që zotëron sallën e dasmave mund të të bëjë pak hile te gramatura e pjatës, por fiton prej gëzimit të të tjerëve, ndërsa ai i agjencisë së funeraleve thërret vdekjen për të ushqyer ndershmërisht familjen e tij. /Panorama/