Siç premtoi gjatë fushatës, Mateo Salvini e ka nisur me betejën kundër emigrantëve ilegalë, mandatin e tij si zv/kryeministër dhe ministër i Brendshëm. Vizitën e parë pas betimit e bëri në Siçili, në ishullin që sipas tij është shndërruar në ishullin kampin e refugjatëve për Europën. Në takimin me drejtuesit lokalë, Salvini tha se situata do të ndryshojë.

Më herët duke folur para qindra mbështetësve në Viçenca, Salvini u bëri thirrje emigrantëve të paligjshëm të bëjnë gati valixhet. Ministri i ri i Brendshëm tha se italianët nuk duhet të shpenzojnë më kohë e para për emigrantët. Vendeve të tyre të origjinës, kryesisht në Afrikën Veriore u bëri thirrje të ndalojnë emigrantët e paligjshëm që nisen nga brigjet e tyre.

Siç është shprehur më herët Salvini, nga Italia do të dëbohen mbi 500 mijë emigrantë ilegalë, por kjo do të bëhet gradualisht dhe jo në mënyrë kaotike.