Në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, António Costa kanë mbajtur një konferencë për mediat. Gjatë fjalës së tyre, Costa ka theksuar se vetëm merita dhe puna që vendet do të bëjnë, duhet të përcaktojë mundësinë e integrimit ose jo në Bashkimin Europian.
Antonio Costa: Vetëm merita duhet të përcaktojë mundësinë e integrimit ose jo në BE. Puna e vendeve dhe si i kanë përmbushur detyrimet, e vetmja mënyrë se si ata mund të bëhen pjesë e BE. Është një investim shumë i rëndësishëm politik që ka të bëjë për vendet e Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë BE. Kjo është arsyeja pse e nisëm këtë punë së bashku sepse ne jemi duke punuar për të vazhduar më tej këtë proces dhe për të organizuar samite të tjera.
Ursula von der Leyen: Eksperienca ime më ka bërë të kuptoj se në çdo rast duhet të gjejmë zgjidhje që vjen si pasojë e një pune të madhe, një pune të fortë. Bashkimi Europian është një histori e gjetjeve të kompromiseve dhe duhet një punë e madhe që të arrihet një gjë e tillë.
E pyetur në lidhje me aspiratat e Kosovës për në Bashkimin Europian, Von der Leyen është shprehur se duhet një opinion nga Këshilli dhe se rruga për në BE është një proces i gjatë.
Pyetje: I vetmi vend për të cilin ka pasur aplikim, por që nuk është marrë parasysh ka qenë Kosova. Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk është trajtuar drejtësisht Kosova dhe populli i saj.
Ursula von der Leyen: Ne duam që të ketë një opinion nga ana e Këshillit në mënyrë që të bëhet hapi i radhës në raport me Kosovën. Unë mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të lëvizë përpara dhe për këtë duhet një punë shumë e madhe. Ky është një proces i gjatë dhe një rrugë e gjatë që duhet të shtyhet edhe me të gjithë kontributin e Kosovës.