Sot në Paris nis samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Në këtë takim, mes të pranishmëve do të jenë edhe presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Në këtë samit, që është i treti me radhë në kuadër të të ashtuquajturit “Proces i Berlinit”, marrin pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi Millo Gjukanoviç, e të tjerë. Do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët më të lartë të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Procesi i Berlinit është një nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, për të mundësuar ndërlidhjen rajonale të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas këtij aktiviteti, kryeministri Rama do të jetë në datën 9 korrik, në një tjetër samit. Këtë herë, ai do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Varshavë.