Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar sërish në konferencën me mediat këtë të premte udhëtimin në Bruksel të kryeministrit Rama ku mori pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Sipas Berishës, Rama shkoi në Bruksel “e faktoi se ishte përfaqësues i aleancës trilaterale të serbomadhit Vucic. Me deklaratat e qëndrimet e tij Rama dëshmoi se është i rreshtuar jo me Ballkanin e Berlinit apo Brukselit por me Ballkanin e Beogradit dhe Putinit”.

“Ky është udhëtimi që dëshmoi përfundimisht se Edi Ramës nuk i hapin negociatat. Nuk e pranojnë për interlokutor dhe se në mënyrë absolute shkaqet themelore nuk është Bullgaria, por siç ja tha vetë padroni i tij Vucic janë disa vende të BE, të cilat nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë se Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet, përkundrazi në drejtim të lirive të qytetarëve, votës së lirë dhe mediave ka shënuar rrokullisje të mëdha.

Nuk është vetoja e Bullgarisë për Shqipërinë por është regresi i demokracisë në Shqipëri e mos plotësimi i kushteve nga qeveria e Ramës.

Nëse lexoni të gjitha deklaratat para e gjate samitit te Rames ato faktojnë katërcipërisht se ky zotëri shkoi në Bruksel jo si përfaqësues i Shqipërisë por si vasal i Aleksandër Vucic.

Dhe u soll atje sikur të ishte Milorak Dodik, Presidenti i Republikës serbe të Bosnjës dhe jo kryeministër i Shqipërisë.

Shkoi në Bruksel e faktoi se ishte përfaqësues i aleancës trilaterale të serbomadhit Vucic. Me deklaratat e qëndrimet e tij Rama dëshmoi se është i rreshtuar jo me Ballkanin e Berlinit apo Brukselit por me Ballkanin e Beogradit dhe Putinit.