Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, e konsideron të paligjshme bllokadën totale të Izraelit ndaj Rripit të Gazës.
Por jo të gjithë pjesëmarrësit në samit mendojnë kështu. Ishte takimi i parë virtual i krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së që nga fundi i pandemisë së koronavirusit. Secili nga pjesëmarrësit sërish ndodhej në zyrën e vet ose diku në udhëtim: Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Izrael, kryeministri hungarez Viktor Orban në Kinë. Në Bruksel në sallën e zbrazur të godinës së Europës presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, koleget dhe kolegët ishin mbledhur me ngut përpara një monitori të madh. Nëse tema e samitit të posaçëm, do të mund të ishte bërë shaka duke kujtuar situatat e çuditshme nga koha e pandemisë kjo duket tashmë e largët. Në Bruksel bëhej fjalë për terrorizmin dhe kryesisht për luftën e Izraelit kundër Hamasit palestinez, të klasifikuar nga BE, SHBA dhe shtete të tjera si organizatë terroriste e të gjithë ishin seriozë.
Michel: Bllokada e Izraelit nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare
Me një minutë heshtjeje kryetarët e shteteve dhe të qeverive përkujtuan dy suedezët e vrarë të hënën nga një islamist, që mendohej se vinte nga Maroku, e që u vra në Bruksel. Po ashtu pjesëmarrësit nderuan viktimat e sulmit terrorist të Hamasit islamist ndaj Izraelit përpara dhjetë ditësh si dhe qindra viktimat nga radhët e popullsisë civile në Rripin e Gazës. Presidenti i Këshillit të BE-së, Michel dhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ritheksuan deklaratën, se Izraeli ka të drejtë të mbrohet ndaj Hamasit dhe sulmuesve të tjerë, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. “Bllokada totale e Rripit të Gazës nga Izraeli nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare”, tha Charles Michel. Ursula von der Leyen nuk donte ta formulonte kështu. Ajo në vend të kësaj rekomandoi, të lexohej një deklaratë e përbashkët e shteteve të BE-së. Në të kritika e Michelit nuk është përfshirë.
Në emër të BE-së Michel kërkoi të sigurohet ujë, ushqime dhe kujdes mjekësor për 2,1 milionë banorët e Rripit të Gazës, që qëndrojnë tani kryesisht në jug të vendit, pasi Izraeli u bëri thirrje të largohen nga pjesa veriore.
Furnizimi bazë për popullsinë civile
“Nuk është kontradiktore që të mbështesësh Izraelin dhe të kujdesesh për nevojat humanitare për palestinezët”, tha Ursula von der Leyen. Ndaj BE-ja do ta rrisë mbështetjen financiare për ndihmat humanitare, për të krijuar një urë ajrore për furnizimin me ndihma. Ndërsa financimet për ndihmën e zhvillimit për infrastrukturën dhe të tjera projekte do të rishqyrtohen. Jo vetëm selia e BE-së në Bruksel, por edhe vendet anëtare duhet të rishqyrtojnë ndihmat e tyre.
Të lirohen pengjet, të hapet kufiri për të huajt
BE i bën unanimisht thirrje Hamasit për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të 200 pengjeve. Egjiptit i bëhet thirrje të hapë kufirin në Rafah për kalimin e ndihmave në Rripin e Gazës. Të huajt duhet të lejohen të kalojnë përmes pikëkalimit Rafah, bëri thirrje Charles Michel. Edhe dhjetra qytetarë të BE-së janë bllokuar në Rripin e Gazës. Për palestinezët Egjipti nuk do ta hapë kufirin, sepse nuk do të ketë refugjatë në vend, tha Presidenti i Këshillit të BE-së. Në mënyrë indirekte nga qendrimi i Michel u kuptua se kishte një farë mirëkuptimi, pasi shumë refugjatë në Egjipt do të tentonin më pas drejt Europës duke e rritur presionin prej migracionit.
Në emër të BE-së dhe pas sulmeve terroriste në Francë dhe në Belgjikë gjatë ditëve të fundit, Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëruan, se terrori islamist po kthehet në Europë. “Ndaj është shumë e rëndësishme, që të zbuten tensionet në rajon”, nënvizoi Ursula von der Leyen. Ofensiva në pritje në terren e Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe viktimat e mundshme në radhët e popullsisë civile mund të shkaktojnë rritjen e tensioneve dhe radikalizimin në Europë, druajnë diplomatët e BE-së.
Kryeminstri i Hungarisë injoron unitetin
Në deklaratën e tyre të samitit anëtarët e BE-së theksojnë unanimitetin dhe vendosmërinë. Charles Michel tërhoqi vëmendjen, se vendosmëri e ngjashme po tregohet edhe në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj për mbrojtje nga agresioni i Rusisë. Por nuk shkonte aspak në këtë frymë mungesa e një kryeministri të BE-së, hungarezit Viktor Orban, i cili ndodhet në Pekin duke shtrënguar duart miqësisht me presdientin rus Vladimir Putin. Putin dhe Orban, që vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të ngushta ekonomike, u takuan në Pekin në samitin e investimeve në kuadrin e Rrugës së Mëndafshit.
Në Bruksel presidentja e Komisionit të BE-së u përpoq ta llustrojë këtë imazh devijues. Ajo akuzoi Rusinë, se po instrumentalizon luftën e Izraelit kundër Hamasit për propagandën e vet kundër Ukrainës dhe për të diskretituar Europën. Ne do të qendrojmë njëkohësisht krah Izraelit dhe Ukrainës, tha Ursula von der Leyen: “Disa besojnë, se mund të na e shkëpusin vëmendjen prej Ukrainës. Por ne do t’u tregojmë, që e kanë gabim: Ne do të mbështesim miqtë tanë, aq sa ata e kanë këtë të nevojshme.”
Ishte takimi i parë virtual i krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së që nga fundi i pandemisë së koronavirusit. Secili nga pjesëmarrësit sërish ndodhej në zyrën e vet ose diku në udhëtim: Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Izrael, kryeministri hungarez Viktor Orban në Kinë. Në Bruksel në sallën e zbrazur të godinës së Europës presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, koleget dhe kolegët ishin mbledhur me ngut përpara një monitori të madh. Nëse tema e samitit të posaçëm, do të mund të ishte bërë shaka duke kujtuar situatat e çuditshme nga koha e pandemisë kjo duket tashmë e largët. Në Bruksel bëhej fjalë për terrorizmin dhe kryesisht për luftën e Izraelit kundër Hamasit palestinez, të klasifikuar nga BE, SHBA dhe shtete të tjera si organizatë terroriste e të gjithë ishin seriozë. /DW