1 shkurt 2015 – Shqipëria dhe Kosova nuk janë ftuar fare në takimin rajonal të federatave të futbollit, që u mbajt në Lubjanë të Sllovenisë. Federata Shqiptare e Futbollit, por gjithashtu edhe ajo e Kosovës, duket se nuk janë shumë të dëshiruar nga vendet fqinje. Në takimin rajonal të federatave të futbollit të vendeve ballkanik, prezentë ishin përfaqësuesit e Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Serbisë. Ndërkohë, munguan FSHF dhe FFK, pasi nuk kishin marrë fare ftesë. Të ndjeshëm për këtë injorim kanë qenë kosovarët, të cilët presin të anëtarësohen në UEFA dhe FIFA. Sekretari i përgjithshëm i federatës kosovare, Eroll Salihu, në lidhje me këtë mungesë, shprehet:
“Kam dëgjuar për këtë takim, por nuk kemi pasur ftesë zyrtare.Mirëpo, edhe po të kishim, nuk besoj se do të merrnim pjesë pa praninë e Federatës Shqiptare të Futbollit”, theksoi Salihu për gazetën kosovare “Sport Plus”.
Takime të tilla mbahen shpesh, por Shqipëria dhe Kosova nuk kanë marrë pjesë këtë herë dhe arsyeja nuk dihet, por duket qartë që është një anashkalim dhe mund të ketë lidhje me atë që ndodhi më 14 tetor të vitit të kaluar në Beograd. Kjo konfirmohet edhe për faktin se federata serbe është një nga iniciatoret e këtyre takimeve rajonale.
Qëllimi
Sipas asaj që shkruajnë mediat sllovene dhe maqedonase, pjesëmarrësit në këtë takim kanë nënshkruar një memorandum për bashkëpunim, i cili parasheh përforcimin e marrëdhënieve miqësore, ruajtjen e integritetit në futboll dhe luftën kundër të gjitha dukurive negative në futboll. Gjithashtu, pjesëmarrësit janë marrë vesh për vazhdimin dhe shkëmbimin e përvojave në rajone të ndryshme. Në konferencë është biseduar edhe për projektet dhe garat që janë në kuadër të FIFA-së dhe UEFA-s, për projektet që kanë të bëjnë me përgjegjësi sociale si dhe bashkëpunimin mes federatave të futbollit dhe përfaqësuesve të pushtetarëve vendorë dhe lokalë. Në këtë takim, shumica e federatave u përfaqësuan nga kryetarët dhe sekretarët. Ndërsa Serbia u përfaqësua nga nënkryetari, Ivan Curkoviq.





