Kryeministri Edi Rama dhe Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhen në Londër, ku po marrin pjesë në punimet e Samitit të NATO-s.
Së bashku me kryeministrin Rama, Cakaj ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe Ministrin e Jashtëm, Stef Blok.
Në fokus të takimit ishin diskutime, të cilat lidhen me çështje të interesit të përbashkët që ndikojnë në shtimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rëndësinë e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
"Sot së bashku me Kryeministrin Rama zhvilluam një takim me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe Ministrin e Jashtëm, Stef Blok !
Diskutuam për shtimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rëndësinë e perspektivës evropiane të Shqipërisë. Sidoqoftë, më e rëndësishmja nga të gjitha mbetet solidarizimi i plotë i Holandës me Shqipërinë në këto momente të vështira dhe gatishmëria e saj e plotë për të na mbështetur fuqishëm në përpjekjen për riparimin e rindërtimin e hapësirave të prekura nga tërmeti në gjithë vendin.", shkruan Cakaj në Facebook.





