Kryeministri Edi Rama ndodhet në Poloni, ku po mbahet Samiti i Varshavës, i cili do të zgjasë dy ditë. Në cilësinë e vendit anëtar, Shqipëria përfaqësohet me një delegacion të nivelit të lartë në këtë Samit, ku marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Rama, me pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në momentin e fotos zyrtare, kryeministri Rama ka shtrënguar dorën me Presidentin e SHBA, Barack Obama.

Në rrafshin politik, ky Samit konsiderohet me rëndësi të veçantë për Aleancën, pasi zhvillohet në një moment kritik të përballjes me sfida serioze për sigurinë euro-atlantike, si nga lindja, ashtu dhe nga jugu.

Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të jetë pjesë e diskutimeve, në qendër të të cilave janë forcimi i mbrojtjes kolektive të Aleancës, projektimi i stabilitetit në hapësirën euroatlantike, kërcënimet e sfidat e sigurisë dhe angazhimi i NATO-s në Afganistan.