“Ballkani i Hapur” është mbledhur në Beograd të Serbisë, ku priten të nënshkruhen disa marrëveshje të reja.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski do të nënshkruajnë një marrëveshje për sigurinë ushqimore, një plan veprimi për emergjencat civile, një memorandum për artin dhe kinematografinë dhe memorandum bashkëpunimi për minierat dhe energjinë.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tri nismëtarët e “Open Balkan”, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.