Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është shprehur se nuk do të lejojë Rusinë apo organizatat kriminale të minojnë sigurinë e vendeve evropiane.

“Bashkimi Evropian përballet me sfida të mëdha. Vendet tona janë gjetur shpesh në pozita diametralisht të kundërta. Me vendet e Veriut dhe të ashtuquajturat “vendet e kursyera” nga njëra anë dhe ato të Jugut nga ana tjetër, që akuzoheshin se shpenzonin shumë para. Diçka që mendoj se bazohet në paragjykime”, theksoi kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në fund të Samitit Veri-Jug, në Lapland të Finlandës.

Më tej ajo theksoi se “Ne duam të mbrojmë kufijtë e jashtëm dhe nuk duam të lejojmë Rusinë apo organizatat kriminale të minojnë sigurinë tonë”, tha kreu i qeverisë italiane.

Ajo komentoi edhe zgjedhjen e Donald Trump si presidentin e ri të SHBA, ku tha “Ka shumë diskutime se çfarë do të ndodhë me Trump. Nuk më intereson çfarë mund të bëjë Amerika për ne, por çfarë mund të bëjmë ne për veten tonë. Ne duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe kemi nevojë për mjete të reja. Pikat tona fillestare janë të ndryshme, duhet të takohemi në gjysmë të rrugës. Unë besoj se në lidhje me Trumpin, nuk duhet t’u kushtojmë vëmendje thashethemeve.”