Policia e Shtetit ka zhvilluar sot operacionin “Sammogia”, duke arrestuar 3 persona në Vlorë, të dyshuar si pjesë e grupeve që shpërndanin drogë në Europë.
Në lidhje me këtë operacion, ka reaguar ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai shprehet se policia e Shqipërisë është një aleate e besueshme e institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare, duke shtuar se efektivët po luftojnë krimin e organizuar.
Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
🇦🇱 Policia e Shtetit po konsolidohet çdo ditë e më shumë si partner i besueshëm i policive dhe agjencive të vendeve partnere, sëbashku me Interpol dhe Europol në luftën kundër krimit të organizuar, me një fokus të veçantë luftën kundër grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëve.
Gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm është finalizuar me sukses operacioni policor ndërkombëtar “Sammogia”, ku është goditur një grup i strukturuar kriminal dhe janë arrestuar pjesëtarë të tij. Përgëzime Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit për kapjen e tre të kërkuarve nga Italia dhe për koordinimin mjaft të mirë me Zyrën e Interforcës Italiane dhe Interpol📍Tirana.