20 nëntor 2013- Pavarësisht përshtypjeve negative, kompania Samsung ka deklaruar se janë shitur 800 000 orë inteligjente Galaxy Gear në një hark kohor prej dy muajsh që kur pajisja doli në shitje.
Këtë raportim e ka publikuar për herë të parë Reuters, të cilët citojnë zyrtarë të Samsung-ut, por pa dhënë emrat e tyre. Sipas tyre, shitjet e orës i kanë tejkaluar parashikimet e Samsung-ut. Ndërkohë, kompania planifikon të zgjerojë promocionin gjatë festave të fundvitit.
“Është ora më e shitur e llojit të vet në treg dhe po planifikojmë të zgjerojmë sa më shumë disponueshmërinë e saj, duke suportuar edhe më shumë pajisje që mund të funksionojnë me të,” u shpreh Samsung-u në një deklaratë.
Disa media të teknologjisë, në përshtypjet e tyre për orën, e kanë vlerësuar atë pozitivisht për dizajnin dhe cilësinë e ekranit, por janë shprehur se çmimi prej 299 $ është shumë i lartë duke marrë parasysh edhe kufizimet në përshtatshmëri apo mënyrën e çuditshme të karikimit të orës.Para pak kohësh, Samsung-u deklaroi se do të rriste suportin për pajisjet që mund të lidhen me Gear.
/ PCWorld Albanian /