Samuel Eto, një ikonë e futbollit afrikan dhe president i Federatës së Futbollit të Kamerunit (FECAFOOT), e gjen veten në qendër të një skandali serioz që mund të rrezikojë të ardhmen e futbollit të vendit të tij vetëm pak muaj para Kupës së Botës 2026. Një grup profesionistësh, i udhëhequr nga avokati ndërkombëtar Emmanuel Nsahlai, ka paraqitur ankesa zyrtare në Komitetin e Etikës së FIFA-s, Konfederatën e Futbollit Afrikan (CAF) dhe Ministrinë e Sportit dhe Edukimit Fizik të Kamerunit, duke e akuzuar Eto-n për menaxhim “të dyshimtë”, për të mos thënë më shumë.
Akuzat janë të rënda: korrupsion, përfshirje e dyshuar në manipulimin e ndeshjeve në divizionin e dytë të Kamerunit, mashtrim tatimor në Spanjë në vlerën e 4.4 milionë dollarëve, shtypje e opozitës së brendshme, manipulim zgjedhor dhe konflikt interesi me kompaninë ruse të basteve 1xBet, si dhe “zhdukja” e 1.5 milionë dollarëve nga ndeshjet miqësore.
“Ky nuk është një sulm ndaj Eto si lojtar, karriera e tij është e paprekshme. Bëhet fjalë për shpëtimin e qeverisjes së futbollit kamerunas dhe rivendosjen e vlerave të integritetit dhe lojës së ndershme”, tha Nsahlai.
Eto, i zgjedhur president në vitin 2021 me një premtim transparence, ka qenë tashmë në qendër të polemikave: në vitin 2024, FIFA e pezulloi atë për sjellje ofenduese në Kupën e Botës për Femra U20, ndërsa më parë ai u gjobit për kontratën e tij me 1xBet. Pas eliminimit të Kamerunit nga Kupa e Kombeve të Afrikës, ai njoftoi dorëheqjen e tij, por ajo u refuzua nga federata. Tani, presioni ndërkombëtar kërcënon t’i japë fund mandatit të tij para kohe.





