DURRËS, 23 gusht 2013 –Aleksandër Pepa, aktori veteran i teatrit të varietesë “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, feston 80-vjetorin e lindjes, shkruan gazetari Gëzim Kabashi. Pepa bën pjesë në grupin e aktorëve themelues të këtij teatri, që më 5 maj të vitit 1960, duke cituar regjisorin Gjergj Vlashi. Ky i fundit e kishte pikasur djaloshin shkodran si ekonomat në portin detar, që në vitin 1953, pak muaj pasi ishte zhvendosur drejt qytetit bregdetar nga Shkodra, ku punonte si mësues. Vlashi e aktivizon në komedinë e tij “Dhoma nr. 13”, ku fitoi admirimin e publikut falë rolit kryesor dhe akcentit shkodran. Bashkë me Spiro Stratin, Ramazan Njalën, Aleks Llazarin dhe Enver Likmetën, nën drejtimin e regjisorit Vlashi, edhe Sandër Pepa ngjitet në skenë tashmë si profesionist në teatër me premierën “Vizitoni ekspozitën tonë”. Më pas, 30 vjet veprimtari artistike deri në vitin 1990, kur ai del në pension. Gjithmonë si aktor në teatrin e estradës. Aktualisht, si një herë e një kohë, regjisori Gjergj Vlashi dhe aktori Aleks Llazari, së bashku me moshatarin tjetër, Kostandin Gajda, janë së bashku dhe biseda ndalet herë pas here te vitet e kaluara përballë gjykimit të spektatorëve. Ishte periudha e artë, kur trupa e Estradës së Durrësit mirëpritej në të gjitha qytetet e vendit dhe kur aktorët e saj ndryshonin mentalitetin e shikuesve, falë krijimtarisë së regjisorit-libretist Gjergj Vlashi dhe punës së palodhur të artistëve. “Kemi punuar me një kolektiv shumë të mirë, edhe atëherë kur afruan më të rinjtë si Aishe Stari e Fadil Hasa, Elibeti Tirana, Adem Gjepali e Lumturi Dashi, Muharrem Hoxha dhe Roland Koça”,- shprehet me respekt Sandër Pepa. Edhe Sandër Pepa ka qenë regjisor i disa trupave amatore në Durrës. Në provat e varietesë së ndërmarrjes së Gomës, gati 50 vjet më parë, ai u lidh edhe me Dritën, që punonte si normiste, e që u bë shoqja e tij e jetës. Tani që gëzojnë pensionin dhe dy djemtë, Sandër Pepa ndihet si çdo njeri që e ka kryer detyrën e tij në jetë, por sigurisht kushtrimi i skenës e thërret, sa herë që ulen e bisedojnë me shokë e me kolegë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/