Bernie Sanders, rivali i Hillary Clinton-it në garën e demokratëve, premtoi se do të punojë me kandidaten ende jozyrtare presidenciale, por nuk tha që do të lërë garën apo që do ta mbështesë kandidaturën e saj.
Senatori i Vermontit, gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij, tha se ishte jetësore që ata të mos lejonin kandidatin republikan Donald Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë.
Prej shumë javësh, Sanders i reziston thirrjes për t’i dhënë fund fushatës së tij, sidomos pasi Clinton arriti numrin e duhur të delegatëve për kandidimin automatik.
Sanders fitoi zgjedhjet në 22 shtete amerikane dhe mori më shumë se 12 milionë vota, por Clinton mori 16 milionë vota dhe mbështetjen e delegatëve të lirë, duke u bërë “de facto” kandidatja e Partisë Demokratike për presidencën.





