Kanë qenë të shumta reagimet në Berlin, Bruksel e Moskë, kundër sanksioneve amerikane ndaj projektit të gazësjellësit ‘Nord Stream 2’. Qeveria gjermane i konsideron sanksionet, ndërhyrje në punët e brendshme të Gjermanisë dhe Europës.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova akuzoi Uashingtonin se po nxit një ideologji bllokuese të tregtisë globale. Përmes një reagimi në Facebook, Zaharova ironizoi duke thënë se “së shpejti, ata do të na kërkojnë edhe të reshtim së marri frymë”. Analistët i konsiderojnë sanksionet amerikane të jashtëligjshme dhe akt dhune.
“Sanksionet nuk janë të ligjshme sepse janë ekstraterritoriale. Ato kërcënojnë njerëz dhe kompani që nuk kanë qendër në Shtetet e Bashkaura dhe nuk janë pronë e qytetarëve amerikanë. Mendoj se janë një akt dhune”.
Uashingtoni u ka vënë sanksione të gjitha firmave dhe individëve të përfshirë në projektin për ndërtimin e gazësjellësit Nordstream 2, ku përfshihet refuzimi i vizave amerikane dhe bllokimi i pronave të tyre në Shtetet e Bashkuara. Për pasojë, një firmë zvicerane përgjegjëse për shtrimin e tubave u tërhoq nga projekti.
Gazësjellësi Nordstream 2 transporton gazin rus nga gjiri i Narvës në Perëndim të Rusisë, drejt qytetit verior gjerman të Grajfvaldit. Projekti kap vlerën e 11 miliardë Dollarëve. Por Uashingtoni druhet ky projekt do shtojë varësinë e Gjermanisë nga Rusia dhe të dëmtojë tregtinë amerikane me Europën në fushën e energjisë.





