Rusia po mundohet të zbusë pasojat që vijnë nga sanksionet perëndimore.

Sanksionet duket se po e çojnë Rusinë drejt një krize të pashmangshme, qëkur vendi nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Tregtimi në bursën e Moskës do të pezullohet pjesërisht të mërkurën, dhe njerëzit me llogari bankare në valutë të huaj tani përballen me një kufi se sa para mund të tërheqin.

Rusët gjithashtu tani mund ta shohin vetë se vendi i tyre është gjithnjë e më i izoluar. Disa dyqane perëndimore tashmë janë mbyllur dhe së fundmi Starbucks, l’Oreal, Coca-Cola dhe Pepsi njoftuan se po tërhiqen nga Rusia.

Kështu ka bërë edhe McDonalds, i cili për shumë simbolizoi një marrëdhënie të re me Perëndimin kur hapi restorantin e tij të parë në Rusi.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një sërë sanksionesh të reja që prekin avionët rusë dhe eksportet e teknologjisë hapësinore dhe të aviacionit. Vendi ishullor do ndalojë avionët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe do ta quajë vepër penale fluturimin ose uljen e tyre në vend.