Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara prekin, përveç Rusisë, edhe Korenë e Veriut e Iranin.
Zyrtarët e regjimit iranian, sipas disa vëzhguesve, i druhen efektit të masave të mëtejshme shtrënguese dhe më shumë sesa atyre ekonomike, ia kanë frikën veprimeve kundër rojeve revolucionare islamike. 
Vendosja e sanksioneve mbi organizmin që garanton mbrojtjen e regjimit sundues të vendit, shihet prej kundërshtarëve të tij si hap i nevojshëm dhe madje i vonuar. 
Ata këmbëngulin se rojet revolucionare janë entiteti kryesor përgjegjës për shtypjen që ekziston në vend, eksportin e terrorizmit dhe ekstremizmit dhe sigurimin e armëve të rrezikshme, si atyre nukleare dhe raketave balistike. 
Ndryshimi i regjimit në Iran ishte temë qendrore e takimit të përvitshëm masiv, të rezistencës iraniane në Paris.
Ndryshe nga vende si Iraku, në rastin e Republikës Islamike ekziston një opozitë demokrate dhe e organizuar. Pavarësisht përndjekjes dhe tentativave për demonizimin e tyre, muxhahedinët E-Khalq e kanë vazhduar për gati 40 vjet luftën e tyre kundër regjimit.