·        “Uashington Post”-i rekapitullon një histori 74-vjeçare, ku në 13 raste “buka e gojës” ka bërë të dorëzohen shtete të ndryshme

DURRËS, 1 maj 2014 –  Në vitin 1921 Lidhja e Kombeve (pararendësja e OKB-së) detyroi me sanksione ekonomike Jugosllavinë që të mos pushtonte territore shqiptare.

Por 70 vjet e kusur më pas Shqipëria do ta pësonte nga sanksionet e Athinës për 5 minoritarët.

Sanksionet ekonomike të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë për çështjen e Krimesë dhe rajoneve lindore të Ukrainës, janë në qendër të medieve botërore.

Gazeta e famshme amerikane “Uashington Post” ka botuar shkrimin “13 herët kur sanksionet ekonomike funksionuan realisht” (13 times that economic sanctions really worked), pasi flet për betejën ekonomike Perëndim-Rusi, bën një rekapitullim historik të “modelit” të sanksioneve, që kanë rezultuar të efektshme, që nga viti 1921 deri në vitin 1995.

Sanksionet ekonomike, si mjet trysnie në arenën ndërkombëtare, “përurohen” për herë të parë për hatër të Shqipërisë dhe mbyllen sërish me Shqipërinë, por tashmë kundër saj.

“Dyrrah”-u paraqet kronologjinë interesante të “Uashington Postit”:

1921: LIDHJA E KOMBEVE KUNDËR JUGOSLLAVISË

Në vitin 1921, Lidhja e Kombeve kërcënoi me sanksione ekonomike Jugosllavinë në qoftë se ajo orvatej të pushtonte territore të Shqipërisë. Jugosllavia u tërhoq.

1925: LIDHJA E KOMBEVE KUNDËR GREQISË

Katër vjet më vonë, Lidhja e Kombeve kërcënoi me sanksione ekonomike Greqinë, nëse nuk tërhiqej nga territori kufitar i Bullgarisë. Greqia u tërhoq.

1948-1949: SHBA KUNDËR HOLANDËS

Meqenëse kolonia e Indisë Holandeze Lindore po luftonte për t’u shndërruar në Indonezi të pavarur pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara pezulluan ndihmën e Planit Marshall ndaj autoriteteve në rajon pasi holandezët arrestuan udhëheqës indonezianë. Pas kërcënimeve për sanksione, holandezët rënë dakord të njihnin pavarësinë e Indonezisë në vitin 1949. Sanksionet i kushtuan Holandës 1.1% të prodhimit të brendshëm bruto (PPB).

1958-1959: BASHKIMI SOVJETIK KUNDËR FINLANDËS

Gjatë "Krizës së Natës së Acartë" të viteve 1958 dhe 1959, marrëdhëniet finlandeze-sovjetike u tendosën pasi komunistët u përjashtuan nga qeveria dhe Karl-August Fagerholm, që nuk pëlqehej nga sovjetikët, u caktua kryeministër. BRSS përdori sanksionet ekonomike për të detyruar dorëheqjen e Fagerholm-it. Sanksionet i kushtuan Finlandës 1.1.% të PPB-së.

1965-1967: SHBA KUNDËR INDISË

Në vitin 1965, Shtetet e Bashkuara të Amerikës anuluan ndihmat ushqimore dhe ushtarake për Indinë në një orvatje për të detyruar të ndryshonte politikat e saj bujqësore si dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj luftës me Pakistanin një vit më parë. Në 1966, qeveria e Indira Gandit propozoi politika të reja bujqësore dhe ndihma e SHBA rifilloi vitin pasardhës. Kostoja ekonomike ishte 0.08% të PPB-së së Indisë.

1975-1976: SHBA KUNDËR KORESË SË JUGUT

Në vitin 1975, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorur kërcënimin me sanksione për të shkurajuar Korenë e Jugut nga blerja e një centrali ripërpunimi karburanti bërthamor nga Franca, që SHBA-ja mendonte se mund të përdorej fshehurazi për të ndihmuar prodhimin e bombave bërthamore. Koreja e Jugut nuk e bleu centralin.

1976-1977: SHBA KUNDËR TAJVANIT

Në vitin 1976, qeveria amerikane mësoi se Tajvani po prodhonte në fshehtësi armë bërthamore, kështu SHBA-ja pengoi eksportin e materialit bërthamor për këtë vend. Tajvani më vonë njoftoi se po braktiste planet. Kostoja ekonomike ishte 0.1% e PPB-së së Tajvanit.

1982-1986: AFRIKA E JUGUT KUNDËR LESOTOS

Afrika e Jugut ushtroi trysni ekonomike mbi Lesoton për ta detyyruar të kthente refugjatët afrikano-jugorë që kishin lidhje me Kongresin Kombëtar Afrikan. Pas një grushti shteti ushtarak në Lesoto, Afrika e Jugut hoqi bllokadën dhe 60 anëtarë të KKA-së u deportuan në vendlindje. Lesotos i kushtoi 5.1% të PPB-së.

1987-1988: SHBA KUNDËR EL SALVADORIT

Në vitin 1988, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ekonomike në mënyrë që El Salvadori të hiqte dorë nga lirimi nga burgu të njerëzve të akuzuar për vrasje qytetarësh amerikanë.

1992-1993: SHTETET E BASHKUARA KUNDËR MALAVEVE

Shtetet e Bashkuara (dhe shtete të tjera) shkurtuan dukshëm ndihmat në vitin 1992 në një përpjekje për të përmirësuar standardet demokratike dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Malavi që varej kryesisht e varur nga ndihmat (sanksionet i kushtuan 6.6 % të PPB-së) dhe miratoi me shpejtësi politika më të hapura. Pas një referendumi, në vitin 1993 u fut demokracia shumëpartiake dhe shumë shpejt rifilluan ndihmat.

1993: SHBA KUNDËR GUATEMALËS

Në vitin 1993, pasi Presidenti Jorge Serrano shkriu Kongresin dhe tha se ai do të sundonte me dekret, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kërcënuan me sanksione. Biznesmenët e mëdhenj, të frikësuar nga efektet ekonomike, ndihmuan në rrëzimin e Serranos nga pushteti dhe vendosën një president të ri, Ramiro de Leon Carpio. Kostoja ekonomike ishte 1.3 % PPB-së së Guatemalës.

1994-1995: GREQIA KUNDËR SHQIPËRISË

Greqia pezulloi ndihmën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në vitin 1994, pasi pesë pjesëtarë minoritetit grek u burgosën. Pas kësaj trysnie ekonomike (thuhet Shqipërisë i ka kushtuar 2.9% të PPB-së), Shqipëria uli dënimet dhe liroi dy prej, dhe Greqia rifilloi ndihmën.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/