Këtë javë, nisi në teatrin Ariston edicioni i 62-të i festivalit të Sanremos, i njohur nga të gjithë si festivali i muzikës së lehtë italiane. Sanremo ka përbërë për breza të tërë të rinjsh të qytetit tonë, një nga evenimentet më të rëndësishme muzikore të huaja, që, ashtu si molla e ndaluar, shijohej në fshehtësi. Lidhjet e forta që Durrësi ka pasur me Italinë, të thelluar më shumë gjatë fundit të viteve ‘30 dhe fillimit të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, do të linin gjurmë të thella në formimin artistik e kulturor të durrsakëve, që megjithëse nën tutelën e regjimit komunist që ndalonte rreptësisht ndjekjen e stacioneve radiofonike apo televizive të huaja, dëgjonte e shijonte emisione të famshme muzikore në Itali si Hit Parade Italia, Canzonissima e deri tek festivali i Sanremos. Regjizori i njohur durrsak, Haxhi Rama, kujton se në vitet ‘60, kur ishte në gjimnaz, së bashku me një grup të vogël shokësh dëgjonte fshehurazi emisionin Hit Parade Italia që prezantonte këngët më të mira italiane të asaj kohe. Megjithëse nga ajo periudhë ka kaluar rreth gjysëm shekulli, Rama kujton me nostalgji orët e para të mëngjesit, kohën kur shkonte për në shkollë, kur së bashku me shokët niste diskutimin për këngët e dëgjuara, për këngëtarë si Domenico Modugno apo Nicola di Bari, këngët e të cilëve i ka ende të ngulitura në kujtesë si Volare, Tango, Piove etj. Ato biseda të fshehta, të konsumuara me zë të ulët duke pasur kujdes mos dëgjoheshin nga të tjerët, ishin një nga gjërat më emocionuese për rininë e asaj kohe, që përballej me privime të shumta në sfera të ndryshme të jetës së përditshme dhe formimit kulturor. Ai kujton gjithashtu sesi në ato vite, në fund të orës së gjashtë të mësimit, mezi prisnin rënien e ziles, për të vrapuar për në shtëpi, ku ndiznin me të shpejtë radion dhe afronin veshin pranë altoparlantit për të shijuar e kënduar këngët e tyre të preferuara, të transmetuara në radiot italiane. Rama rrëfen se së bashku me shokët kishin krijuar një kod shenjash për t’u marrë vesh me njëri tjetrin kur do të flisnin për këtë temë të ndaluar, që nëse dëgjohej nga veshët e personit të gabuar mund të përfundoje i internuar së bashku me familjen. Dhe të mendosh që e gjithë kjo fshehtësi ishte jo për të thurur ndonjë komplot kundër pushtetit të asaj kohe, por për të dëgjuar pak muzikë perëndimore, rreptësisht e ndaluar për njeriun e ri të regjimit komunist. Muzika italiane, Sanremo dhe kultura e vendit fqinjë ishin në atë kohë, siç i cilëson koreografi i njohur Gjergj Prevazi, “një dritare e hapur që i lidhte me botën perëndimore, një pikë referimi për muzikën shqiptare dhe shkolla e parë për formimin e artistëve të rinj shqiptarë”. Prevazi kujton se e priste me entuziazëm kohën kur afronte edicioni i rradhës i festivalit të Sanremos dhe menjëherë pas përfundimit të tij niste të këndonte këngën fituese, pasi kishte mësuar përmendësh tekstin e saj. Një tjetër ndjekës i rregullt i Sanremos ka qenë dhe drejtori i kulturës në bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra i cili shprehet se,- "durrsakët e kishin vetëshpallur të ligjshëm ndjekjen e Festivalit të Këngës Italiane, apo siç njihej shkurt, Sanremon. Kujtoj se problemi i vetëm, ditët e zhvillimit të tij, ishte se kujt "do t'i zihej dera" për ta parë në mënyrë sa më komode, sepse që ta ndiqje me vëmendjen e duhur, së pari duhej që të ishe diku ku sinjali televiziv i Rai-t të ishte i fortë. Pallatet e ndërtuara me elemente të parafabrikuar përtej stadiumit apo edhe ato pranë URT-së garantonin këtë gjë. E më pas duhej gjetur një familje e "ngeshme" që të na duronte natën finale deri në orët e vona". Gurra kujton gjithashtu se ishte nxënës në vit të parë të shkollës së mesme, kur ka ndjekur për herë të parë Sanremon. Ashtu si regjizori Rama edhe Gurra nënvizon faktin se festivali dhe atmosfera postfestival nxisnin mes të rinjtë debate nga më të çuditshmet për atë kohë (debate që shpeshherë kishin në thelb vendosjen e këtij eventi si sistem referencial për ngjarje të ngjashme në anën e këtejme), pasi ëndrrat dhe dëshirat që vërtiteshin në kokat e brezit të ri ishin ndoshta një nga të vetmet gjëra ku sistemi i kohës nuk mund të ndërhynte për t'i shkatërruar.

Kur stacionet italiane dëgjoheshin fshehurazi

Pjesa më e madhe e familjeve durrsake, qoftë nëpërmjet radios apo televizorit (shumë të paktë në ato vite) kishin vendosur një kontakt të rregullt me programet radiofonike apo televizive të vendit fqinjë, por për këtë gjë duhej kujdes i veçantë. Radiot dhe televizorët duhet të mbaheshin gjithnjë me zë të ulët dhe njerëzit duhet të tregoheshin shumë të vëmendshëm, pasi ndonjë mysafir apo fqinjë mund të nxirrte sekretin, të të spiunonte tek Sigurimi i shtetit e pastaj niste kalvari i gjatë i persekutimeve, internimeve e madje burgosjeve. Valët e televizionit italian që arrinin të depërtonin deri në Durrës, të ndihmuara edhe nga antenat e provizuara (kanoçet) ishin kontakti i vetëm që një popull i izoluar kishte me botën perëndimore, me ato shtete, që për ironi të fatit, Shqipëria kishte pasur shkëmbime të vazhdueshme dhe të shpeshta tregtare apo kulturore që në kohët antike. Në ato vite, këto stacione ishin burimi i vetëm i informacionit real, ndryshe nga propaganda e kohës që reklamonte arritjet e sistemit socialist, ndërtimin e shtetit duke u bazuar vetëm në forcat tona dhe parajsën ekonomike në të cilën jetonin shqiptarët krahasuar me popullsitë e vendeve kapitaliste. Këngët e Modugnos, Nicola di Barit, Minës, Rafaela Cara-s, Adriano Celentano-s, Lucio Battisti-t etj pëshpëriteshin fshehurazi nga rinia durrsake apo këndoheshin me zë të ulët në grupe të vogla shokësh. Ndërkohë për gjimnazistët e viteve '70-80, siç thotë Adrian Gurra,- "këngë si "Storie di Tutti Giorni" e Riccardo Fogli-t, "Sara Quel che Sara" e Tiziana Rivale-s,  "Adesso Tu" e Eros Ramazzotti-t, "Se Stiamo Insieme" e Cocciante-s, e më pas "Come Saprei" e Giorgia-s apo "L'uomo Volante" e Masini-t, do kishin privilegjin të uleshin këmbëkryq për të zënë vend përgjithmonë në kujtesën tonë". Çdo brez ka preferencat e tij, por ajo që vlen të theksohet në ato vite është se Sanremo dhe muzika italiane kanë frymëzuar breza të tërë të rinjsh në Durrës e qytete të tjera të Shqipërisë. Aspirata për një botë të lirë, për një muzikë jashtë klisheve të vendosura nga diktatura e proletariatit, për një kulturë me të cilën populli ynë kishte vendosur ndër shekuj lidhje të forta e brenda së cilës e gjente shumë më mirë veten sepse i përkiste botës perëndimore e jo asaj aziatike që tentonte të imponohej në atë kohë, i shtynte durrsakët të shfrytëzonin mundësitë më të vogla të mundshme për të qëndruar në kontakt me Perëndimin, aq të afërt fizikisht, por aq të largët ideologjikisht; të ëndërruar shumë, por “mollë e ndaluar” si ajo e Evës dhe Adamit në Parajsë. 

Sanremo sot

Ndërsa prej mëse 20 vjetësh askush nuk të ndalon të zgjedhësh mes gamës së gjerë të stacioneve televizive shqiptare, italiane e botërore, impakti që Sanremo krijonte dikur tek shqiptarët është zbehur. Duket se larmia mjaft e madhe e zhanreve të ndryshme muzikore, bombardimi i veshit të të rinjve kryesisht me këngë në gjuhën angleze apo me tallavatë shqiptare ka zbehur shumë rëndësinë e Sanremos. Ndoshta kjo mungesë interesimi vjen edhe për faktin se siç thotë regjizori Rama (që tani nuk e ndjek më atë aq rregullisht sa më parë),- “festivali i Sanremos mbetet një festival serioz, që i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme vazhdimërisë dhe ruajtjes së muzikës tradicionale italiane”. Megjithë rrymat e reja muzikore, përzierjet e zhanreve etj, Rama është i mendimit se gjithsesi Sanremo ka ruajtur ndër vite muzikën e lehtë italiane. “Të gjitha këngët e paraqitura në edicionet e fundit pavarësisht elementeve inovativë mund të kanalizohen ende brenda një shtrati, një hullie, pra brenda notave të muzikës origjinale të vendit fqinjë”,- thotë Rama. Kjo ndoshta është një arsye pse brezi i ri nuk e gjen dot më veten aq shumë brenda kësaj muzike, por është i dhënë pas rrymave më në modë si house, r&b, rock, pop etj që dëgjohen kudo në radio, tv, lokale apo pube e disko. Një faktor tjetër mund të jetë mungesa e emrave të mëdhenj të muzikës italiane, që janë shumë të paktë në ditët tona në tregun botëror dhe nuk arrijnë t’u imponohen këngëtarëve amerikanë, që dominojnë hit parade-t botërore. 

Festivali i Sanremos

Edicioni i 62-të i festivalit të Sanremos startoi në 14 shkurt për të mbyllur siparin më 18 shkurt, pas shpalljes së këngës fituese. Drejtuesi i këtij festivali ishte këngëtari i njohur italian Gianni Morandi i shoqëruar nga Rocco Papaleo dhe bukuroshet Elisabeta Canalis, Ivana Mrazova dhe Belen Rodriguez, që me veshjet e saj shumë provokuese nxiti komente të shumta në rrjetet sociale. Nën regjinë e Stefano Vicario-s dhe skenografi të Gaetano Castelli-t u ngjitën në skenën e teatrit Ariston 14 artistë të kategorisë “Të mëdhenj” dhe tetë të rinj. Ndryshe nga edicioni i mëparshëm, nata e parë e Sanremos shënoi një rekord shikueshmërie, pasi afërsisht gjysma e italianëve kishin ndalur telekomandën e televizorit tek stacioni RAI UNO, që ka ekskluzivitetin e transmetimit të këtij evenimenti muzikor. Natën e parë të festivalit, prania në skenë e këngëtarit të famshëm, Adriano Celentano, që në më pak se një orë zhvilloi një monolog miks mes fjalëve dhe muzikës ka mbajtur para ekranit më shumë se 14 milionë italianë. Polemikat, debatet dhe akuzat e ngritura ndaj monologut sarkastik të Celentanos kanë dominuar në faqet e shtypit italian në ditët në vazhdim. Një e veçantë tjetër e edicionit të sivjetshëm ishte nata e tretë e tij e titulluar “Viva l’Italia” (Rroftë Italia), një homazh për muzikën italiane. 14 artistët që konkuronin në kategorinë BIG duetuan disa nga këngët më të mira italiane ndër vite me këngëtarë dhe grupe të njohura të muzikës ndërkombëtare. Njëri pas tjetrit u ngjitën në skenën e teatrit Ariston emra të njohur të muzikës italiane si Dolcenera, Samuele Bersani, Emma, Gigi D’Alessio e Loredana Berte si dhe yjet të skenës europiane e botërore si Goran Begovic, Shaggy, Patti Smith, Profesor Green etj, të cilët përcollën para publikut në sallë dhe teleshikuesve nga ekrani versione të reja të disa nga hiteve më të njohura të vendit fqinjë. Edicioni i parë i festivalit të Sanremos është mbajtur në 29-31 janar 1951 dhe pjesëmarrës në të ishin vetëm dy këngëtarë; Nilla Pizzi dhe Achille Togliani. Festivali i muzikës së lehtë italiane është zhvilluar gjithmonë në qytezën e San Remos, në rajonin e Ligurias. Qyteza me rreth 57 mijë banorë shtrihet në veri-perëndim të Italisë. Shqiptarët e kanë ndjekur me interes të veçantë festivalin e Sanremos në vitin 2003 dhe 2007, kur një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, Elsa Lila, konkuroi në kategorinë e të rinjve.