Tiranë, 28 qershor 2014 – Dhjetë minuta përpara se të ekzekutohej, Artan Santo ka tentuar të lidhej në telefon me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministri nuk i ka hapur telefonin dhe njerëz të medias që kanë qenë në ato momente me Tahirin konfirmojnë se vetëm pak pas asaj telefonate ka mbërritur edhe lajmi për vrasjen e Santos. Se cila do të ishte kërkesa e fundit e Santos ndaj një ministri të kësaj qeverie, kjo tashmë mund të merret lehtësisht me mend, shkruan sot Rilindja Demokratike.
Sipas kësaj gazete, me shumë mundësi biznesmeni do të kërkonte direkt ndihmën e ministrit për motorin që e ndiqte prej disa javësh dhe që dy ditë më parë i kishte shpeshtuar parakalimet rreth banesës së Santos dhe rrugëve të mundshme, ku ai do të kalonte.
Rilindja Demokratike shkruan se Tahiri ka qenë mjaft i zënë në ato momente, sepse kishte shtruar një koktej me gazetarët, ku po i paraqiste atyre suksesin e arritur në Lazarat.
Po sipas të njëjtit burim, gazetarët e pranishëm në koktej janë njoftuar aty për atentatin e bërë ndaj biznesmenit dhe bankierit Artan Santo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





