Suksesi i përbashkët në “Kënga Magjike 2024” me këngën “Akoma” i prezantoi Rozana Radin dhe Sany Dimitrin si një dyshe e fortë, por pas finales, rruga e tyre artistike u nda papritur. Pak ditë më parë, Rozana zgjodhi të flasë hapur për prishjen e marrëdhënies, duke deklaruar se me Sanyn nuk ka më asnjë kontakt dhe duke e cilësuar atë “mosmirënjohës”.

“Unë nuk kam asnjë lloj komunikimi. Nuk më pëlqejnë njerëzit mosmirënjohës,” u shpreh këngëtarja, duke treguar se shkak i konfliktit ishte përdorimi i emrit dhe imazhit të saj në promocionin e disa koncerteve, ku ajo nuk ishte e ftuar dhe nuk merrte pjesë. Sipas saj, publiku ka prerë bileta duke menduar se do ta shihte live në skenë. “Dy muaj pasi dola nga Big Brother, pashë veten në një poster koncerti ku nuk merrja pjesë. Është përdorur emri im, njerëzit kanë prerë bileta për mua,” tha Rozana, duke e cilësuar situatën të padrejtë dhe të pakëndshme.

Pas këtyre deklaratave, reagimi i Sanyt erdhi në një intervistë për “Living Day”, ku ai e pranoi se komunikimi mes tyre është ndërprerë, por mohoi kategorikisht etiketimin si “mosmirënjohës”. “Kam dëgjuar që ka thënë që jam mosmirënjohës, por nuk mendoj se jam dhe as kam qenë. Këtë e tregojnë edhe postimet e mia, ku gjithmonë kam falenderuar çdo njeri që ka kontribuar,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se, nga ana e tij, kontributi i Rozanës nuk është harruar.

Lidhur me përdorimin e fotos së përbashkët në posterë koncertesh, Sany dha këtë sqarim: “Fotoja është publike dhe mund të përdoret nga kushdo. Nëse kjo çon në keqinterpretim, unë nuk di çfarë të them.”