PRISHTINE – Dhurata që zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i kishte bërë Kosovës me rastin e festave të fundvitit 2011, ka dalë të jetë e “zbrazët”. Zëvendësi i kryeministrit Thaçi që angazhohet në procesin lobues për njohje të reja, kishte deklaruar në ditët e fundit të vitit 2011 se shteti afrikan Sao Tome dhe Principe ka marrë vendim për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Në fakt, qeveria e atëhershme e këtij vendi e kishte marrë këtë vendim në mars të vitit 2012, tre muaj pas deklarimit të Pacollit, por vendimi asnjëherë nuk ishte bërë i plotfuqishëm, raporton Koha Ditore.
Presidenti i shtetit Sao Tome dhe Principe ka zhvleftësuar vendimin e Qeverisë së këtij vendi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Presidenti Manuel Pinto da Costa e ka marrë këtë vendim, pasi që vendimi i koalicionit të kaluar qeveritar nuk është miratuar asnjëherë në parlamentin e këtij shteti.
Sao Tome bëhet njohja e tretë e jo e sigurt që nga Qeveria e Kosovës është deklaruar si zyrtare. Përpos Sao Tomes, edhe njohjet nga Uganda dhe Nigeria të “siguruara” nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nuk janë konfirmuar plotësisht asnjëherë. Megjithatë, në rastin e këtyre dy vendeve, pas insistimit të Pacollit, Ministria e Punëve të Jashtme i ka futur ato në listën e shteteve që na kanë njohur.