Teksa ndodhet në maqedoninë e Veriut për një vizitë zyrtare, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, nuk i ka shpëtuar provokimit të një gazetari shqiptar.
Furkan Saliu kishte veshur një bluzë me figurat më të njohura shqiptare si; Nënë Tereza, Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Luan Krasniqi, Bebe Rexha, Jim Belushi e Majlinda Kelmendi, mbi të cilën shkruhej: “Sapo dolëm nga pylli”.
Ky veprim i gazetarit është bërë për të ironizuar deklaratën fyese të Brnabiç ndaj liderëve shqiptarë të Kosovës, të cilët i quajti “njerëz që kanë dalë nga malet”.
Gazetari shqiptar e pyeti kryeministren përse nuk po hapet pika kufitare Preshevë-Llojan, ndërkohë që liderja serbe tha se po shqyrtohet si mundësi. Sjellja e Saliut ka marrë vëmendjen të madhe në mediat maqedonase, por edhe ato serbe.