Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar këtë të martë kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një vile në Surrel që sipas tij është ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Berisha ka deklaruar se kjo vilë ka themele të gjatë 57 metra dhe një kopsht prej 830 metrash, të gjitha të ndërtuara në mënyrë që nuk respektojnë normat ligjore, por janë legalizuar 100%.
Në deklaratën e tij, Berisha e quajti këtë vilë si “Sarajet e Edi Ramës” dhe tha se ndërtimi është bërë me shkelje të ligjit. Ai gjithashtu ka akuzuar Ramën për favorizimin e legalizimit të pronave të tij, ndërsa për qytetarët e zakonshëm ka kërkuar një proces të ndryshem.
Kreu i PD shtoi se, nëse vjen në pushtet, do të realizojë një proces legalizimi për të gjitha shtëpitë para çdo akti urbanizimi, duke garantuar kompensim me çmim tregu për pronarët e tyre. Ai nënvizoi se ky proces i legalizimit do të jetë i ndershëm dhe pa konflikte, duke shmangur praktikat aktuale të qeverisë që sipas tij përdorin buldozerët dhe gazin për të shkatërruar pronat e qytetarëve.
Berisha theksoi se do të ofrohet një marrëdhënie e ndershme me pronarët dhe do të sigurohet një përgjigje përfundimtare për problemet e tyre brenda periudhës 2025-2029.