Në burgun “La Santé” në Paris, ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy, do të paraqitet për të vuajtur dënimin më 21 nëntor, pasi Gjykata e Parisit e dënoi muajin e kaluar me 5 vite burg për bashkëpunim kriminal me ish-diktatorin libian, Muamar Gadafi.
Rasti i tij është i pari në historinë e Bashkimit Evropian që një ish-kryetar shteti përfundon pas hekurave për korrupsion.
Sarkozy do të mbyllet në një qeli në zonën e të burgosurve të rëndësishëm. Ndonëse një prej burgjeve më të vjetra të Francës, i vitit 1867, “La Santé” iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë në vitin 2019.
Tashmë, të ashtuquajturat qeli VIP kanë një pamje të tillë: një hapësirë rreth 10 metra katrorë, sa qelitë e zakonshme, por ku personazhet VIP nuk e ndajnë qelinë me të tjerë. Kanë kuzhinë, televizor, shtrat, tualet dhe një linjë telefonike të veçantë për numra të caktuar. I përngjan më tepër një hoteli jo luksoz sesa një qelie.
Në këtë burg kanë vuajtur dënimet persona si Karlos Çakalli, venezueliani marksist-leninist i dënuar me 3 burgime të përjetshme për dhjetëra vrasje dhe terrorizëm, apo Manuel Noriega, ish-diktatori famëkeq i Panamasë.





