Gazeta britanike “The Independent” thotë se posedon prova të pakundërshtueshme që tregojnë se ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy ka marrë rreth 50 milion euro nga ish-diktatori i libian, Moamer Gadafi.

“The Independent” citon një burim të afërt me grupin hetimor francez që është ngritur për të zbardhur zërat në fjalë.

Sipas këtij burimi, një biznesmen libanez, i identifikuar si Ziad Takiedine emri i të cilit doli gjatë hetimeve si ndërmjetës në dhjetëra transaksione monetare mes Francës dhe vendeve të Lindjes së Mesme, ka rrëfyer para hetuesve në Paris se Sarkozy ka përfituar rreth 50 milion euro nga Gadafi.

Sipas gazetës britanike, biznesmeni mësohet të ketë deklaruar se është në gjendje të dokumentojë me prova të pakundërshtueshme se fushata zgjedhore e Sarkozy në 2006 dhe 2007 është financuar fuqimisht me paratë që mbërrinin nga Tripoli.

Por, burime pranë ish-presidentit i cilësojnë këto akuza si “të pavërteta dhe të turpshme”.