Ndaj Udineses, Juventusi kishte mundësinë që me një fitore të siguronte matematikisht titullin e 9-të radhazi në Serie A, por bardhezinjtë jo vetëm që nuk fituan por as nuk barazuan në Dacia Arena, pasi një gol i Fofana në minutat shtesë u shkaktoi humbjen e 5-të sezonale dhe u shtyu festën.

Një disfatë që gjithsesi trajneri i bardhezinjve Maurizio Sarri nuk e bën dramë. Trajneri i Juves nxorri justifikimet e tij përsa i përket kësaj disfate por edhe 38 golave të pësuar nga Juve në 38 javë që janë shumë.

“Kemi pasur 12 penallti kundër, gjë që është e pazakontë për klubet e mëdha. Ka pasur më shumë goditje dënimi në përgjithësi, një rekord kudo, edhe pse për ne ka pasur një numër më të lartë. Chiellini ka qenë jashtë gjatë gjithë sezonit dhe njerëzit nuk e kuptojnë se sa kemi humbur nga përvoja dhe karakteri i tij”, u shpreh Sarri për “Sky Sport Italia”.

“Kemi humbur organizimin tonë dhe formën, kjo është ajo që po na ndodh kohët e fundit. Luajtëm mirë pjesën e parë, pësuam më pas gol dhe donim të fitonim me çdo kusht. Kjo është arsyeja që nisëm të luanim të pa organizuar dhe krejtësisht lirshëm.Prej dëshirës së madhe rrezikuam dhe në fund u mundëm. Është e vështirë të gjesh ekuilibrin në këtë moment, pasi çdo lojtar në ekip po lodhet. Gjithashtu nuk jemi agresivë për shkak të kësaj. Besoj se organizimi është më i rëndësishëm se agresiviteti në këtë moment. Lodhja është më shumë mendore se fizike. Pas barazimit ne e humbëm qetësinë”, shtoi trajneri i Juves.