Shënjestra është e drejtuar te një person i vetëm, të paktën sipas asaj që u pa fill pas humbjes dhe aq më tepër pas deklaratës për shtyp të Mauricio Sarrit:
“Për momentin nuk mund të japim më shumë sesa treguam me Napolin. Jemi jashtë forme dhe Ronaldo nuk po vrapon siç duhet, ashtu sikurse pjesa tjetër e skuadrës”.
Një deklaratë e tillë, në sheshet ku dominojnë bardhezinjtë, jo vetëm që nuk pranohet, por nuk tolerohet absolutisht. Tifozët e Juventusit janë mësuar që skuadra e tyre të kanibalizohet përballë çdo kundërshtari, të jetë e pamëshirshme.
Por, që të tregojë dhe kjo vuajtje aktuale të duket diçka normale, e pranueshme me qetësinë që tregoi personi që paguhet për ta mbajtur në formë dhe ta konfirmojë fitues ekipin më të titulluar në Itali, ishte një autogol që Sarri duhet ta kishte shmangur. Këtë e vërtetojnë jo pak, por plot 54.800 komente në faqen zyrtare të klubit, në rrjetet e ndryshme sociale, ku përveç kërkesës për largim, kryefjala ishin sharjet dhe ofendimet e rënda në kor lëshuar 61-vjeçarit.
Por, ndoshta, zëri më i fortë i të gjithë këtyre akuzuesve ishte ai i Elma Aveiros, motrës së Kristiano Ronaldos, e cila nuk e ka përtypur aspak analizën e trajnerit të Juves lidhur me paraqitjet dhe formën jo të mirë të 35-vjeçarit. “Çfarë tjetër mund të bësh?, – i drejtohet Elma Sarrit, që më pas vazhdon në postimin e saj. – Kjo është gjithçka ke dhe për këtë arsye thesari im (Kristiano Ronaldo), i vetëm nuk mund të bëjë mrekullira.
Nuk arrij ta kuptoj se si mund të luhet në këtë mënyrë që po shohim deri tani.Gjithsesi, mbreti im (referuar Ronaldos), mbaje kokën lart, sepse më shumë nuk mund të bësh”.
Komenti i motrës së CR7-ës është pëlqyer edhe nga e ëma e futbollistit dhe kaq ka mjaftuar që edhe një herë tjetër, të rindizen zërat për një lamtumirë të parakohshme të Kristianos nga Juventusi në fund të këtij sezoni.





