Sassuolo ka arritur një fitore spektakolare dhe plot sakrificë ndaj Atalantës, duke triumfuar 2-1 në javën e 27-të të Serie A në “Mapei Stadium”.

Sfida nisi me rast për bergamaskët, por Zalewski nuk arriti të shfrytëzonte një mundësi të mirë që në minutën e 10-të. Pak më pas, portieri Carnesecchi ndali goditjen me kokë të Thorstvedt.

Ndeshja ndryshoi rrjedhë në minutën e 16-të, kur Pinamonti u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Gjimshitit, duke lënë vendasit me 10 lojtarë.

Pavarësisht disavantazhit numerik, Sassuolo kaloi në avantazh në minutën e 23-të me Kone, që realizoi pas një goditjeje këndi të Laurienté.

Në pjesën e dytë, Thorstvedt dyfishoi shifrat në minutën e 69-të me një goditje spektakolare.

Atalanta reagoi vonë dhe ngushtoi rezultatin me Musah në minutën e 88-të, ndërsa Muric u bë hero duke shpëtuar rezultatin në shtesë.

Sassuolo siguron kështu fitoren e tretë radhazi dhe ngjitet në kuotën e 38 pikëve.