Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një video ku një banor i Shijakut, Ali Meçi, shtëpia e të cilit u shkatërrua gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit, tregon të gjitha momentet e ngjarjes së trishtë, nga jetesa në çadër, e deri në ndërtimin e shtëpisë së re.

Meçi theksoi se fillimisht nuk e besoi se shtëpia do të rindërtohej, por tanimë që ajo është gati, ai ndihet shumë i kënaqur.

“Si të gjithë familjeve të tjera në fatkeqësinë e 26 nëntorit, të tërmetit, fillova punën time, derisa më erdhi çadra. Për t’u strehuar bëra këtë barakën e vogël dhe u strehova këtu. Për një javë, u vendos çadra dhe u sistemova atje më pas. Ishim shtatë persona, vështirësi kishim, po ç’a të bënim. Në gusht nisi rindërtimi, s’kisha besim, por kur erdhi fadroma këtu më shkriu gjaku. Shtëpia u ndërtua për 4 muaj, është 3 plus 1. Jam shumë i kënaqur, ndërtimi do punë, por jam shumë i kënaqur. Shpëtuam gjallë fatmirësisht. Më tha nipi o gjyshi na vrau, u harruan ato”, shprehet qytetari.