Paketa e re e tarifave ndëshkuese e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë vendim si një “goditje serioze për ekonominë globale”, ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz, e quajti një “sulm” ndaj rendit tregtar ndërkombëtar.
Von der Leyen bëri të ditur se BE-ja po përgatit një paketë kundërmasash për të mbrojtur interesat dhe bizneset e saj, ndërkohë që vazhdojnë negociatat me Uashingtonin. Edhe zyrtarë të tjerë evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së António Costa dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, shprehën shqetësim mbi pasojat e mundshme të këtyre tarifave për ekonominë e BE-së.
Ndërkohë, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Gjermanisë, Dirk Jandura, paralajmëroi për pasoja të rënda për ekonominë gjermane, duke theksuar se tarifat mund të çojnë në rritje çmimesh dhe ulje të shitjeve, veçanërisht për bizneset më të vogla. Në të njëjtën linjë, përfaqësues të industrive automobilistike dhe kimike gjermane i konsideruan tarifat si një kthesë të rrezikshme në politikën tregtare amerikane, që mund të sjellë një luftë tregtare me pasoja të rënda globale.