Francë, 13 qershor 2014 – Michael Schumacher është jashtë rrezikut për jetën. Lajmin që thyen akullin e pesimizmit e jep tabloidi britanik “Daily Telegraph”, bazuar në shkrimin e një reviste gjermane që zbulon se 7 herë kampioni i botës në Formula 1 ka dalë nga reanimacioni ku ishte nën kujdesin intensiv të mjekëve në spitalin e Grenoble.
Gjermani është në gjendje koma që prej muajit janar kur iu nënshtrua dy operacioneve kirurgjikale në kokë për shkak të aksidentit që pësoi në pistën e skive në Meribel të Francës.
Rreth dy muaj më parë, menaxherja e tij, Sabine Kehm beri të ditur se Schumi kishte shenja të vogla përmirësimi pasi mjekët kishin vendosur ta nxirrnin nga koma klinike.
Të premten, revista gjermane “Bunte”, e specializuar në lajmet rreth emrave të njohur të sportit dhe spektaklit, publikoi lajmin se Schumacher nuk është më në terapi intensive, por vazhdon të qëndrojë në spitalin e Grenoble ku po ndiqet nga mjekët.
Gjithsesi, edhe pse ish piloti është jashtë rrezikut për jetën, shanset e tij për rikuperimin e plotë janë shumë të vogla.
Aktualisht, të afërmit po përgatisin transferimin e tij në një klinikë të specializuar për raste të tilla, ku Schumni do të ndiqet nga mjekë të specializuar për të fituar aftësitë e humbura pas aksidentit që për pak i mori jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





