DURRËS, 29 nëntor 2014 – Michael Schumacher, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë sportistët më të klikuar të vitit në motorrët e kërkimit të Yahoo në versionin spanjoll. Një ndër faqet më të përdorura të internetit në nivel global, ka publikuar sportistët që kanë rezultuar më të klikuarit gjatë 2014-ës në tokën iberike. Në vendin e parë është ish piloti gjerman për të cilin fansat janë interesuar më shumë se për këdo tjetër në botën e sportit. Natyrisht që ky interesim ka të bëjë me ngjarjen fatkeqe që i ndodhi Schumacher, i cili në 29 dhjetor të 2013 pësoi një aksident të rëndë ndërsa ishte duke bërë ski në Alpet Franceze dhe qëndroi në koma deri qershorin e kaluar në spitalin e Grenoble.
Vendi i dytë është për Cristiano Ronaldon që fiton këtë duel virtual me rivalin e tij të madh Lionel Messi. Futbollisti i Realit aktualisht është kryegolashënues në sezonin e La Liga-s dhe një ndër kandidatët kryesore për të fituar Topin e Artë. Messi renditet në vendin e tretë të klasifikimit të sportistëve më të kërkuar në Yahoo. Rendimenti i argjentinasit këtë vit nuk ka qenë ai më i miri për të edhe pse në javën e fundit ylli i Barcelonës theu rekordin e Thelmo Zarras si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në La Liga dhe atë të Raul në Champions duke u bërë golashënuesi më i mirë i historisë në kompeticionin madhor. Në vendin e katërt renditet një tjetër personazh që ka të bëjë me Barcelonën, është ish trajneri i blaugrana, Tito Villanova, i cili u nda nga jeta këtë vit si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Iker Casillas zë vendin e pestë i ndjekur nga një tjetër protagonist i Barcelonës, Neymar, i ndjekur nga tenisti Rafael Nadal, kolumbiani i Realit të Madridit, James Rodriguez, piloti i Formula 1, Fernando Alonso dhe atleti Yago lamella, i cili u nda nga jeta këtë vit në moshën 36-vjeçare.





