Gjermani, 28 korrik 2014 – Një video që ndez edhe më shumë rivalitetin mes Bayernit dhe Dortmundit në këtë prag sezoni. Bastian Schweinsteiger është filmuar dy ditë pas kthimit nga Brazili me trofeun e Kupës së Botës, duke kënduar disa rreshta bashkë me korin e tifozëve bavarezë. I ftuar në një lokal në Mynih, atmosfera u ndez shumë dhe nga korniza e përgjithshme e kombëtares kaloi te brohoritjet në nderim të kampionëve të Bundesligës me lojtarin që nuk e përmbajti dot veten, por udhëhoqi koret ofenduese.
Pas gati 2 javësh, këto pamje dolën në publik dhe Bastian Schweinsteiger, i vendosur nën akuzë, u detyrua të reagojë teksa ndodhet ende me pushime. “Dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve, trajnerëve dhe lojtarëve të Borussia Dortmund. Kjo është një këngë e njohur tifozësh, por që përmban fjalë të papërshtatshme. Nuk doja të ofendoja askënd. Shkoj mirë me të gjithë lojtarët e Dortmundit, veçanërisht me Kevin Grosskreutz”. Ishte kjo apologjia e Schweinsteiger në mesazhin e tij në Facebook, por nuk do të ishte aspak i habitshëm një reagim i tifozëve verdhezinj.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





