Kapiteni Bastian Schweinsteiger ka dhënë dorëheqjen nga kombëtarja gjermane e futbollit. 31-vjeçari bëri njoftimin e vet zyrtar në rrjetet sociale, ku lajmëron tifozët se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së “pancerave”. Mesfushori i ka kërkuar trajnerit Joachim Löw të mos grumbullohet më. Arsyeja kryesore e këtij vendimi të vështirë të ish-lojtarit të Bayernit është forma fizike gjithnjë në rënie e tij, i cili ka vuajtur tmerrësisht shumë nga dëmtimet në vitet e fundit. Schweinsteiger ka luajtur me Gjermaninë që nga viti 2004, duke u aktivizuar në 120 ndeshje, i renditur i katërti në listën e futbollistëve gjermanë me më shumë paraqitje me kombëtaren. Ai ka luajtur në shtatë turne dhe në Botërorin 2014 u shpall kampion bote pas një performance epike të tij në finale me Argjentinën. Pas aventurës me triumf në Brazil, ai mori vendin e kapitenit të dorëhequr, Philipp Lahm, teksa tani lë detyrën ashtu si ish-shoku i tij i skuadrës te Bayerni.“Të dashur tifozë të kombëtares gjermane, Sapo i kam kërkuar trajnerit që të mos më konsiderojë më për grumbullimet e kombëtares, sepse dua të dorëhiqem. Falenderoj tifozët, skuadrën, Federatën, trajnerët dhe skuadrën e Gjermanisë. Në 120 ndeshje, kam pasur mundësinë të kontribuoj për vendin tim duke përjetuar çaste të bukura aq sa nuk përshkruhet dhe me suksese. Jogi Löw e dinte se ç’do të thoshte për mua Kampionati Evropian i Francës, sepse doja ta fitoja këtë titull, kaq domethënës që nga viti 1996. Nuk ishte e thënë të ndodhte dhe më duhet ta pranoj. Titulli kampion bote në 2014-n ishte diçka historike dhe emocionuese, diçka që në karrierën time nuk mund të përsëritet. Ja pse tani është e drejtë dhe e ndjeshme të largohem para Eliminatoreve të Botërorit 2016 duke i uruar skuadrës më të mirat. Me këtë dorëheqje po lë skuadrën, e cila qenë gjithnjë një familje e çmuar. Shpresoj që lidhja të vazhdojë në një formë apo në ndonjë tjetër. Në fund, tifozëve dua t’u them: ‘Ishte një nder për mua të luaja për ju. Faleminderit për të gjitha gjërat që pata mundësinë ta përjetoja me ju! I juaji, Bastian Schweinsteiger”, – shkruhet në postimin e mesfushorit.