Brazil, 13 korrik 2014 – Përballë Holandës, Brazili bëri një tjetër figurë të keqe pasi u mund me rezultatin 3-0, dhe e mbylli Botërorin e shtëpisë në vendin e 4-t. Një tjetër disfatë e rëndë kjo për 5-herë kampionët e Botës pas asaj ndaj Gjermanisë. Por edhe pse kombëtarja e drejtuar nga Luiz Felipe Scolari zhgënjeu një popull të tërë me mbylljen që i bëri Kupës së Botës, trajneri i Selesaos nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Do të qëndroj në postin tim deri në momentin që drejtuesit e Konfederatës Braziliane të Futbollit do të ma lejojnë diçka të tillë. Vetëm presidenti e ka në dorë vendimin e largimit tim nga përfaqësuesja, dhe mendoj se nuk është koha e duhur për të folur për diçka të tillë. Unë personalisht nuk jam i zhgënjyer që e përfunduam Botërorin në vendin e 4-t pasi nuk mund ta harroj faktin që në tre Kupat e Botës kam mbërritur gjithmonë në gjysmëfinale”.
Në vijim Scolari habit edhe njëherë tjetër kur deklaron se skuadra e tij pavarësisht humbjes së thellë 3-0 zhvilloi një ndeshje të mirë përballë Holandës.
“Besoj se kemi luajtur mirë, duke krijuar mundësi shënimi gjatë gjithë kohës. Goli i dytë erdhi nga pozicion jashtë loje, ndërkohë që rezultati është totalisht gënjeshtar. E përsëris ai gol që pësuam në fillimin e lojës ndryshoi tërësisht ndeshjen tonë”.
Nga ana tjetër trajneri i Holandës, Louis Van Gaal u shfaq i kënaqur para mediave për Botërorin që zhvilloi skuadra e tij, por edhe për faktin se Holanda edhe pse u pozicionua e treta u largua nga Brazili pa pësuar asnjë humbje.
“Ëndrra jonë ishte të shpalleshim kampionë Bote, por pavarësisht kësaj unë jam krenar për futbollistët e mi. Ishte diçka shumë e bukur ta fitonim sfidën me Brazilin, por natyrisht jam i kënaqur edhe me faktin se në 7 ndeshje shënuam në total 15 gola”.
Ndeshja me Brazilin ishte e fundit për Van Gaal në stolin e përfaqësueses holandeze sepse pas vetëm pak ditësh ai do të marrë drejtimin e klubit anglez të Manchester United, ndërkohë që vendin e tij në kombëtare do të marrë Gus Hiddink.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





