HIMARE-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Himarës, ku kryeplaku i fshatit Palasë është dhunuar nga këshilltari i PBDNJ-së. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, nënkryetari i Bashkisë së Himarës, Irakli Gjicali, tregon se shkak për sherrin është bërë kërkesa e këshilltarit të PBDNJ-së, Gjika Stramarko, i cili kërkonte hapjen e një guroreje në Palasë. Për këtë arsye në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ditën e hënë është thirrur edhe kryeplaku i fshatit. Mësohet se ky i fundit ka dhënë opinionin kundër ngritjes së gurores, çka nuk i ka pëlqyer këshilltarit të PBDNJ-së, i cili është bashkëpronar i subjektit që kishte marrë përsipër hapjen e gurores. Në fakt kundër dhënies së lejes është shprehur edhe votimi i këshilltarëve, 7 prej të cilëve kanë qënë kundër, ndërsa 4 pro. 
 

MBLEDHJA 

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltari i PBDNJ-së Gjika Stramarko ka paraqitur kërkesën për dhënien e lejes për hapjen e një guroreje në fshatin Palasë. Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Himarës, Irakli Gjicali, në mbledhjen e këshillit është thirrur për të dhënë mendim edhe kryeplaku i Palasës, Odisea Dhimolea. “Në fjalën e tij, kryeplaku ka kërkuar në emër të banorëve që përfaqëson që të mos jepet kjo leje, sepse përveçse do shkaktonte një ndotje në ambient, ishte edhe kundër frymës turistike të zonës”, tregon Gjicali. Në mbledhje kanë nisur debatet mes këshilltarit Gjika Stramarko, të cilit i është kërkuar mos të votonte, pasi figuronte ortak në këtë investim me biznesmenin Fiorentin Beli. Por Stramarko është shprehur se kërkesën për dhënien e lejes e ka bërë Beli dhe ai nuk kishte interesa. Më pas leja nuk është aprovuar, pasi u votua me 7 vota kundër, ndërkohë që vetëm 4 këshilltarë kanë qënë pro. 
 

SHERRI 

Pas mbledhjes, sipas nënkryetarit të Bashkisë së Himarës, këshilltari i PBDNJ-së së bashku me biznesmenin Beli kanë fyer dhe sharë kryeplakun e Palasës. Më pas sherri ka degjeneruar në dhunë dhe kryeplaku Dhimolea është qëlluar me grushte. Menjëherë pas ngjarjes, Dhimolea është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore e më pas ka denoncuar dhunuesit e tij. Ndërsa kryeplaku i Palasës Odisea Dhimolea, deklaroi për “GSH” se gjithçka ka ndodhur për shkak të mendimit të tij se “Palasa nuk kishte nevojë për një gurore, por për vepra turistike”. Ai ka shtuar se pasi është votuar kundër lejes në mbledhje, ka dalë jashtë bashkisë, ku pas tij ka shkuar edhe Fiorentin Beli. Sipas kryeplakut të Palasës, ka qënë Beli ai që e ka fyer fillimisht e më pas e ka goditur me grushte pas koke, si shenjë hakmarrjeje për kundërshtimin e lejes. Dhimolea deklaron se zgjidhjen e kësaj çështjeje ua ka lënë në dorë institucioneve shtetërore.