Banorët e kompleksit “Jedas” në Durrës protestuan pasditen e djeshme në lidhje me vonesat për nisjen e punimeve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Edhe pse kanë kaluar 18 muaj, akoma nuk ka diçka konkrete për nisjen e punimeve. Banorët shprehen se ashtu siç i bënë të ditur drejtuesve të bashkisë një javë më parë, firma fituese e tenderit është tërhequr zyrtarisht dhe tashmë situata është e paqartë.
Në shkresën drejtuar bashkisë firma fituese e tenderit BE -IS pretendon se preventivat e hartuara nga studio e projektimit për zbatimin e projektit të rikonstruksionit nuk përputhen me punimet në terren, pasi pallati ka dëmtime të rënda dhe nevojitet një fond më i madh.
“Ne kërkojmë një zgjidhje dhe një sqarim. Ashtu sikur erdhën përpara zgjedhjeve që na njoftonin nëpërmjet Facebook-ut, takime nga afër, do vimë, tani filluan, tani vumë skelat, tani erdhi punëtori i parë, nesër do të vijë i dyti. Sot e kësaj dite nuk po vjen asnjëri dhe nuk po jep as edhe një lloj sqarimi.”, shprehet një qytetar ndërsa thotë se banorët janë shfrytëzuar gjatë fushatës elektorale.
“Këtu është djersa jonë, mundi jonë që ne vetëm po e shikojmë. Jemi bërë sikur po vijmë në varreza. Jemi shumë të mërzitur dhe realisht nuk kemi më shpresa nëse ia vlen të bëhet apo mos të bëhet fare. Të paktën t’i japin drejtim.”, shprehet një tjetër banore.
Më tej banorët thanë se në ditët në vijim do të presin procedurat ligjore të tenderimit dhe më pas do të përshkallëzojnë protestat deri edhe në Kryeministri, siç shprehen ata.
“Ka qenë ky kryeministër që e ka shitur Rindërtimin e Durrësit në të gjitha mitingjet politike gjatë fushatave.”
Fondi i përcaktuar për riparimin e pallatit me sipërfaqe totale 32 mijë metra katrorë është 247 milionë lekë të reja.