Një park urban i rëndësishëm do t’i shtohet qytetit të Durrësit, konkretisht në zonën e Spitallës.

Kryebashkiakja Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e studios “Ideal Construction and Projection (I.C.P)” që ka fituar të drejtën e hartimit të projektit, në bashkëpunim me dy arkitektë të njohur holandezë, Marc Joubert dhe Hellmer Rahms prezantuan projekt idenë e Parkut Urban Spitallë.

“Ky projekt parashikon që mbi kanalin e mbyllur në zonën e Spitallës, në një sipërfaqe prej 12 000 metra katror, të ngrihet një park me hapësira rekreative, pista këmbësorësh, korsi biçikletash, lulishte, pemë, stola pushimi dhe kënde lojërash për fëmijë.

Ky projekt rehabiliton të gjithë zonën dhe i jep asaj një zhvillim të mëtejshëm duke rritur cilësinë e jetesës së banorëve”,– shkruan ndër të tjera në rrjete sociale kryetarja e bashkisë.

Studio do të vijojë punën për të dorëzuar brenda 70 ditëve projektin përfundimtar me vlerën e investimit të këtij projekti.