Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka inspektuar ditën e sotme punimet për ujësjellësin e Durrësit.

Sipas ministrit, ky ujësjellës do të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm për banorët e Durrësit, projekt që pritet të mbyllet brenda afatit.

“Ky ujësjellës ka një gjatësi 68 km dhe një vlerë 31 milionë euro. Do të jetë kjo vepër që do të zgjidhë problemin e furnizimit 24 orë me ujë për zonën e Durrësit. Në këtë projekt po përdoret për herë të parë një teknologji moderne që garanton siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm”, është shprehur Haxhinasto.

“Besoj se kjo vepër e rëndësishme do të përfundojë brenda afatit”, shtoi më tej Haxhinasto. Ujësjellësi do të ketë 7 rezervuare që do të furnizojnë zonat ku kalon.