Duke filluar nga viti i ardhshëm, gjobat nga policia rrugore do të vendosen në mënyrë elektronike dhe jo me fatura. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Sigurisë.

Xhafaj tha se është parashikuar që të informatizohet procesi i gjobave në mënyrë që të ulen abuzimet. Ai tha se kjo gjë nuk është parashikuar në buxhet, sepse janë në diskutim me disa agjenci që dëshirojnë të ndihmojnë me dondacione.

“Numri i vrasjeve dhe aksidenteve me viktima është shifra me e ulët në 10 vitet e fundit. Këtu dua të dal te një aspekt tjetër, lidhur me çështjen e aksidenteve rrugore dhe investimeve.

Ne jemi duke përgatitur një dokument që do të analizojë dukuritë dhe zhvillimet lidhur me çështjet e aksidenteve rrugore dhe më shumë nevojën për të pasur një kontroll të qarkullimit rrugor. Gjatë vitit që vjen kemi parashikuar që të sigurojmë disa pajisje shtesë që kanë të bëjnë me policinë rrugore. Rritjen e pikave të kontrollit me radar. Së dyti informatizimin dhe procesin e vendosjes së gjobave dhe të mos ketë gjobë që mos mbushet me dorë nga polici rrugor dhe prerja e gjobës do të jetë elektronike për t’u ulur abuzimin. Këtë nuk e kemi parashikuar në buxhet për shkak se jam në diskutim me disa agjenci që dëshirojnë të ndihmojnë përmes donacioneve”.