TIRANË, 13 mars 2013 – Në kuadër të zbatimit të sistemit Bonus-Malus, për vitin 2013 do të ketë ndryshime në Regjistrin Elektronik Online të shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, thotë kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Enkeleda Shehi.
Gjatë vitit 2013 do të mundësohet shfaqja automatike tek agjentët e shitjes vetëm e të dhënave kryesore të mjeteve motorike, të pronarëve të tyre dhe të kategorizimit të riskut.
Kjo do të bëhet efektive edhe në sajë të bashkëpunimit ndërinstitucional me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet lidhjes në kohë reale me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Në pjesën e parë të vitit 2013 do të përfundojnë ndryshimet e duhura, që japin mundësinë e marrjes në kohë reale për çdo policë sigurimi, të të dhënave mbi mjetin, pronarin, dhe elementët bazë të Certifikatës Bonus-Malus për secilin nga drejtuesit e mjetit.
Të dhënat e Regjistrit Elektronik Online të shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, tashmë shërbejnë dhe për kontrollin në kohë reale nga institucionet në bashkëpunim, si Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet integrimit të kontrollit të vlefshmërisë së policave me sistemin e kontrollit online të vendosur në qendrat operative “eGjoba”.
Gjatë vitit 2013 synohet të realizohet shfaqja e këtyre rezultateve nëpërmjet ‘Portalit të Shërbimeve për Shoqëritë e Sigurimit’.
Kjo reformë shërben dhe në luftën kundër korrupsionit në polici, por edhe për shmangien e gabimeve dhe arbitrariteteve ndaj zotëruesve të mjeteve.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





