Shtëpia botuese “Fan Noli” merr pjesë në panairin e ndërkombëtar të librit në Moskë, ekspozon dhe libra të Kadaresë të botuar nga “Onufri”

MOSKË, 12 shtator 2013 – Në panairin e librit të Moskës ishte e pamundur të mos vihej re stenda e shtëpisë botuese shqiptare “Fan Noli” (shih foton kryesore). Ekspozita tërhoqi vëmendje të paktën për shkak të faktit që në Rusi është pothuajse e pamundur të gjesh libra në gjuhën shqipe, njofton radioja “Zëri i Rusisë”. Në stendë vizitorët janë mirëpritur nga drejtori i shtëpisë botuese “Fan Noli”, Rexhep Hida. Në një intervistë Hida deklaroi se shtëpia e tij botuese do të hedhë në tregun shqiptar përkthimin e romanit të famshëm të nobelistit rus Aleksandër Solzhenjicin (1918-2008) Pavijoni i kancerit (shih poshtë kopertinën me titullin në origjinalin rusishtRakovij korpus) dhe një seri të re të veprave të gjeniut Fjodor Dostojevski (1821-1881). Hida tha: “Unë kam marrë pjesë pothuajse në të gjitha panairet ndërkombëtare të librit: në Frankfurt, Paris, Gjenevë, Pragë, Nju Jork. Në Moskë vij për herë të dytë. Duhet të them se këtu atmosfera është shumë miqësore. Ne përkthejmë në gjuhën shqipe autorët rusë të famshëm në mbarë botën: Pushkin, Lermontov, Tolstoi, Dostojevski, Çehov. Tani jemi duke përgatitur serinë e re të veprave të Dostojevskit dhe “Pavijonin e kancerit” të Solzhenjicinit. Aktualisht po paraqes këtu disa libra: në veçanti, veprat e Tolstoit dhe Pushkinit në gjuhën shqipe”.  Ndërkaq bie në sy fakti që Hida, pavarësisht se nuk është botues i veprave të Ismail Kadaresë (në fakt, shtëpia botuese “Onufri), ngre lart veprat e tij që i ka paraqitur në stendën e tij, bashkë me ato të autorëve të tjerë shqiptarë: “Në stendën tonë ka edhe vepra të autorëve shqiptarë. Në veçanti, bëhet fjalë për poetin dhe prozatorin e famshëm Ismail Kadare, i cili, meqë ra fjala, ka studiuar në Moskë. Ai është nominuar për Çmimin Nobel. Dhe shpresoj që ta fitojë atë. Gjithsesi, unë jam i sigurt se ai e meriton atë. Këtu ne paraqesim vetëm një nga romanët e tij të përkthyer në gjuhën ruse, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Mesazhi i tij ka të bëjë me faktin se sado të fuqishme të jenë ushtritë e vendeve të ndryshme, ato gjithsesi do të përkulen përpara vullnetit të popullit. Ismail Kadare ka shkruar më shumë se 60 romane”. Lidhur me bashkëpunimin me Rusinë, Hida tha: “Kultura është ura më e shkurtër për afrimin e njerëzve. Unë personalisht e admiroj letërsinë ruse: Pushkinin, Dostojevskin, Shollohovin, Solzhenjicinin. Arrita të krijoj këtu kontakte me disa shtëpi botuese ruse. Ne mendojmë të botojmë në gjuhën ruse disa romane të tjera të Ismail Kadaresë dhe të autorëve të tjerë shqiptarë, disa libra mbi historinë e Shqipërisë, si dhe një fjalor rusisht-shqip e shqip-rusisht dhe një guidë. Në Rusi, në lidhje me këtë aspekt ekziston një boshllëk serioz: këtu praktikisht nuk e njohin literaturën shqiptare. Kështu që do të fillojmë të punojmë. Dhe shpresoj që së shpejti të shohim rezultatet”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/