DURRËS, 24 maj 2013– Për herë të parë, trupa profesioniste e teatrit "Aleksandër Mosiu" në Durrës do të ngjisë në skenë shfaqjen e kukullave për fëmijë "Çamarokët" me regji të Adelina Muçës e me skenografi e kostumografi të Lira Zahirit. Regjisorja e shfaqjes Adelina Muça tregon se ka qenë një nisma e një grupi aktorësh profesionistë të teatrit për të sjellë në skenë pjesë teatrale dedikuar fëmijëve. Sipas saj, nëpërmjet këtij aktiviteti, fëmijëve do t'u jepet një mundësi tjetër argëtimi, edukimi, nëpërmjet mesazheve të që do të përcillen, si dhe largimin e tyre për pak çaste nga teknologjia mbytëse dhe ekrani i televizorit. Ky rrugëtim, tregon regjisorja do të nisë së shpejti pikërisht me pjesën e titulluar "Çamarokët".
"Mendojmë që me energjinë dhe dëshirën e mirë për të bërë shfaqje për fëmijë, të vazhdojmë edhe më tej, duke mos e ndalur rrugëtimin tonë këtu. E morëm këtë nismë vetëm për faktin se ashtu sikurse edhe keni dëgjuar aktivitetet për fëmijë në Durrës nuk janë të shumta. Por nga ana tjetër kjo shfaqje do të afrojë më shumë fëmijët e Durrësit me teatrin, për t’u njohur dhe dashuruar me të"- tha Muça.
Shfaqja është një pjesë për fëmijë dhe, sipas aktores Aishe Stari, synon të tërheqë rreth vetes fëmijët e qytetit bregdetar, të cilëve prej vitesh u kanë munguar aktivitete të tilla kulturore. Vënia në skenë e një shfaqje për fëmijë është një ngjarje e madhe, duke rikthyer fëmijët në sallën e teatrit "Aleksandër Mosiu" në Durrës.
Shfaqja për fëmijë është konceptuar të luhet nga katër aktorë: Ervin Doko dhe Xhejni Fama në rolin e dy fëmijëve çamarokë, Aishe Stari në rolin e gjyshes, si dhe Gjergj Doçi në rolin e zdrukthtarit. Personazhet janë interesante dhe shfaqja do të ofrojë kontraste ngjyrash e kostumesh, ku njëkohësisht konceptimi i kostumeve dhe leksiku koreografik shkojnë në të njëjtin unitet stilistik. Ky rrugëtim teatror për fëmijë me shfaqjen “Çamarrokët”, që do të nisë së shpejti, pritet të vazhdojë me shfaqje të tjera që do të hapin një dritare të re argëtimi dhe edukimi me teatrin për fëmijët durrsakë.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





