Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse opozita nuk merr pjesë në seancë, kjo nuk e ndihmon Kosovën.
“Ata s’kanë nevojë të marrin pjesë në votim, por duhej të vinin për t’i thënë pikëpamjet e veta. Mosardhja në seancë nuk është ndihmë, duhet të shohin çfarë është në pyetje”, tha Haradinaj në hollin e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi krizë ekonomike në Kosovë, gjendja ekonomike s’është e mirë, kemi probleme të shumta, por punojmë për Kosovën. As s’ka ndarje as s’do ketë ndarje, as s’ka lëvizje me territore. Votojeni këtë delegacion”, u shpreh Kryeministri.
Haradinaj më pas u pyet nëse i kanë votat për këtë delegacion, por ai u përgjigj me ‘deputetët e dinë’.
Sot është parashikuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme parlamentare në Prishtinë për dialogun Kosovë-Serbi në lidhje me debatin e shkëmbimit të territoreve.