Seanca plenare e Kuvendit ku po diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale 2023 u ndërpre mbrëmjen e kaluar pas 13 orësh diskutimesh.
Seanca plenare e Kuvendit nisi në orën 10:00 të paradites dhe zgjati deri në orën 23:00, ndërsa do të vijojë sot në orën 9:00.
Në projektbuxhetin e vitit 2023 të ardhurat parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet do të jenë 687.2 miliardë lekë. Planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6 %, nga 3.7 % që pritet të jetë këtë vit.
Seanca e djeshme u shoqërua me debate të shumta e akuza nga opozita në drejtim të maxhorancës për situatën ekonomike dhe se ky buxhet nuk adreson problemet. Ndërkohë kryeministri Edi Rama zgjodhi një gjuhë të ashpër për t’iu përgjigjur.