12 mars 2015 – Seanca e sotme parlamentare, është mbyllur në një kohë rekord, me vetëm 15 minuta. Ashtu siç ishte parashikuar, seanca nisi me tensione me deputetët e opozitës që kanë kërkuar menjëherë largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta nga posti.

Edhe këtë radhë, deputetët e PD-së kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe i kanë rënë tavolinave, duke kërkuar që kreu i Kuvendit Meta të dorëhiqet. Por kjo nuk e ka penguar kryeparlamentarin që të vijojë me rendin e ditës, duke shqyrtuar projektligjet dhe miratuar ato në vetëm 10 minuta seancë.

Megjithatë, edhe pse seanca nisi në orarin e përcaktuar, kanë qenë sërish deputetët e opozitës ata të cilët kanë ardhur me vonesë, ku një pjesë e tyre me në krye ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili me mbërritjen e tij me 15 minuta me vonesë, humbi seancën plenare.

Ndërsa, në mbyllje të punimeve, Meta i uroi suksese opozitës për protestën, dhe deklaroi se do të vazhdonte i qetë punën e tij në zyrë.

“Ju përshëndes. Ju uroj suksese për mitingun. Unë do shkoj në zyrën time, ju vazhdoni në punën tuaj. Respekte dhe të fala Doktorit. Të fala shumë Doktorit, ma përqafoni. Mirupafshim, faleminderit. Seancën e ardhshme do ta njoftoj në media. Jeni shumë të mirë, jeni të mrekullueshëm”, u shpreh Meta.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/